Një i moshuar ka humbur jetën ditën e sotme pasi është vetëhehdur nga lartësia e godinës së spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar për mediat edhe spitali, që shprehet se pacienti u shtrua ditën e diel me sëmundje kronike obstruktive pulmonare, insuficiencë respiratore dhe hipertension arterial. Sipas njoftimit, ai nuk ka shfaqur në asnjë moment probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë në monitorimin e mjekëve.
Megjithatë, në reagim nuk jepet asnjë shpjegim se si pacienti është hedhur nga lartësia, duke ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.
“Ngushëllime të sinqerta familjes së pacientit 75-vjeçar, M.K, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar ‘Shefqet Ndroqi’, pavarësisht kujdesit dhe përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor.
Pacienti u shtrua ditën e diel me sëmundje kronike obstruktive pulmonare, insuficiencë respiratore dhe hipertension arterial. Gjatë gjithë trajtimit, ai ka qenë nën monitorim të vazhdueshëm dhe nuk ka shfaqur në asnjë moment probleme të shëndetit mendor.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe sigurojmë publikun se ekipi mjekësor ka ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin dhe kujdesin maksimal ndaj pacientit”, thuhet në reagimin e spitalit.