Ish-kryeministri Sali Berisha është pyetur ditën e sotme për mundësinë e bashkimit të votave me socialistët për shkrirjen e Institucionit të Prokurorisë së posaçme.
Berisha hodhi poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me PS, teksa deklaroi se nëse merr pushtetin, do të angazhojë ‘Komisionin e Venecias’ si institucionin më serioz në botë, më të ditur në ligjbërje dhe më të aftë.
“Nuk është e vërtetë se bashkohemi, jo, nuk bashkohemi. E dyta, unë kam denoncuar dhe denoncoj SPAK-un si një organizatë kriminale dhe kam bërë sqarime para jush. Me këtë nuk nënkuptoj çdo punonjës në atë institucion, por nënkuptoj ata prokurorë që mbyllin krime, ata prokurorë që me dokumente zyrtare gjobisin kriminelë, vrasës për t’ua lehtësuar dhe manipuluar dosjet. Po unë këto i kam dhe unë nuk mund të bëja kurrë deklarata të tilla pa prova dhe fakte të pakundërshtueshme.
Janë këto prova dhe fakte dhe interesi i qytetarëve të cilët i paguajnë aty për të luftuar krimin dhe jo për të vjelë gjoba tek kriminelët dhe për t’u pasuruar. Nuk bashkoj vota kurrë me një organizatë kriminale në pushtet. Kam deklaruar, shqiptarët do votojnë PD-në dhe qeveria e saj do angazhojë institucionin më serioz në botë, më të ditur në ligjbërje, më të aftë, që është Komisioni i Venecias.
Ne kemi filluar njëfarë pune sa për dijeni, me ekspertë shumë të shquar europianë, që të bëjnë një lloj vëzhgimi të kësaj dhe të gjejmë rrugë sepse populli do zgjidhje, një shtet do zgjidhje. Nuk mund të rrijë Shqipëria pa proces civil, pa proces penal. E thoshte edhe OECD, nuk vjen kush në Shqipëri për të investuar. Dhe natyrisht me një prokurori politike që nuk bën ligjin, por zbaton urdhrat e ministrit. Unë po pres me padurim 11 majin. Opozita do vijë në pushtet dhe të gjitha këto do i shkojnë kot atij.”- tha Berisha.