Në Shqipëri, deputetja socialiste Klotilda Bushka, kryetar e komisionit parlamentar të ligjit, e vënë nën hetim si e dyshuara për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, hodhi poshtë të martën, deklarimet e bëra në prokurorit nga një prej personave të marrë në pyetje për rastin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Me të dy, ajo ka lidhje të ngushta të hershme si dhe ka bashkëpunuar me zonjën Xoxa.
“Po e kam takuar vajzën në fjalë, si një person me të cilën kam punuar dikur dhe me të cilën kam lidhje gjaku, është kushërirë e imja. Ina Goxhajn e kam kushërirë”, shpjegoi ajo gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë socialiste para të cilit zonja Bushka kishte kërkuar vetë që të paraqiste pozicionin e saj.
Varianti i ofruar nga zonja Bushka është se “e kam qetësuar, duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe nëse e gjykon të nevojshme të marrë avokat. Si juriste, i kam shpjeguar një të afërmi të drejtat e saj. Vetëm kaq. Nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fshehë ndonjë të vërtetë sepse unë jam e para që jam e interesuar që e vërtetë të zbardhet sa më parë e të jetë e tillë në sytë e publikut”.
Rrëfimi i zonjës Goxhaj përpara prokurorëve rezulton të jetë tërësisht i ndryshëm. Takimi mes të dyjave, rezulton të jetë bërë me nismën e zonjës Bushka, e cila ka vajtur në mjediset ku ajo punonte.
Sipas materialeve hetimore zonja Bushka “i ka thënë që të mos kishte komunikim me familjarët e saj (deklarueses) lidhur me takimin e zhvilluar me të” dhe se “nëse do thirrej përsëri në Spak, do të përfaqësohej me një avokat”.
Deklaruesja “shpjegon se Klotilda i ka thënë 'mos ki merak, për çfarëdolloj gjëje, do na kesh ne. Dhe të lutem mos fol me njeri në telefon'. Që mos fliste në telefon në lidhje me ngjarjen, deklaruesja shpjegon se shtetësja Klotilda Bushka ja ka kërkuar disa herë”.
Elementi më i rëndë, sipas asaj që është shkruar në dosje, është fakti se zonja Bushka rezulton t'i ketë marrë asaj telefonin në përdorim, duke i dhënë një tjetër të ofruar nga bashkëshortja e zotit Veliaj. “Deklaruesja shpjegon se shtetësja Klotilda Bushka i ka thënë që nëse do e thërrisnin përsëri në Spak, ajo nuk duhej të tregonte sesi Klotilda ia kishte marrë telefonin. Klotilda Bushka, shpjegon deklaruesja, e ka udhëzuar që nëse do të pyetej organi procedues lidhur me telefonin, duhej të deklaronte se telefonin aktual (atë që i ka dhënë shtetasja Ajola Xoxa) e kishte prej vitesh në shtëpinë e saj dhe thjesht e ka vënë në përdorim kohët e fundit dhe në fund deklaruesja shprehet se teksa po përshëndetej me Klotildën kjo e fundit i ka thënë për çfarëdolloj gjëje që të duhet qoftë edhe për lekë na thuaj”.
Në shpjegimin e saj, para grupit parlamentar, zonja Bushka tha se “unë nuk di ta shpjegoj, çfarë mund të ketë ndodhur në Prokurori apo cfarë trysnie mund të ketë ndjerë kushërira ime, që deklaratat tona private ajo i ka përcjellë në një kontekst tjetër”.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve u shpreh se “kjo është e vërteta ime, por për ta rrëfyer këtë të vërtetë unë nuk jam thirrur e nuk jam dëgjuar. Kam mësuar se jam nën hetim nga shtypi. Nuk jam thirrur, nuk jam dëgjuar ndonjëherë. Nuk më është dhënë mundësia as të ballafaqohem komunikimet e të tretëve, ku unë përmendem, po ku unë vetë nuk jam pjesë fare”.
Në shpjegimin e saj, mbetet e paqartë se përse ajo ka shkuar ta takojë kushërirën e saj në mjedise pune, aq më tepër në një institucion publik, për të diskutuar diçka tërësisht private. Nga ana tjetër ajo nuk ka dhënë asnjë shpjegim për episodin me telefonin e zonjës Goxhaj, për të cilin prokurorët dyshojnë se ka qenë deputetja, ajo që e ka asgjësuar në shtëpinë e prindërve të vet.