Erion Veliaj ka ngelur në burg, ndërsa për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa ka ndryshuar masa e sigurisë.
Sipas vendimit të gjykatës Xoxa është lënë në detyrim paraqitje, dhe ndalim të daljes jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën. Po ashtu edhe biznesmeni Elman Abule ngel në ‘arrest me burg’.
Nderkaq mesohet se Veliaj do të dërgohet në paraburgimin e Durrësit, aty ku ndodhen edhe socialistët e tjerë si Jurgis Çyrbja.
Për të folur rreth arrestimit të Veliajt, i ftuar në emisionin "Ora e Betit", ishte ishte Belind Këlliçi, Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike.
"Është një rast unik që nuk ka ndodhur asnjë herë, që policia e shtetit të mos garantojë sigurinë e institucioneve të drejtësisë, të mos garantojë perimetrin e ambjentëve të gjykatës dhe të prokurorisë së posacme, në ndryshim nga protestat paqësore të opozitës, në ndryshim nga të gjitha aktivitetet e opozitës, ku opozita goditet me gaz lotsjellës dhe rrihet, ku banorët janë nxjerrë forcërisht tek '5 Maji', 'Unazë të Re', 'Kombinat', te pallatet e 'Myslym Ketës', janë nxjerrë në 4 të mëngjesit zvarrë nga shtëpiat e tyre, janë marrë fëmijët, janë marrë nënat lehonë me foshnje të vogla, janë rrahur të moshuarit, i është prerë uji nga Mariglen Qato në 3 të mëngjesit, janë prerë dritat.
Luan Buzhiqi në pallatet 'Myslym Keta' i ka vdekur babai atë mbrëmje dhe nuk i është lejuar t'i ndizen dritat për të pasur mort atë mbrëmje.
Të gjitha këto nuk vlejnë para një hajduti ordiner si ky, për ti dhënë garanci këtij hajduti, këtij banditi dhe për ti dhënë kurajo të rreme atyre personave aty që marrin rrogën nga Veliaj vetëm që të shkojnë në seancën e rradhës për të mbëshetetur Erion Veliajn.
Ky është turpi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e demokracisë shqiptarë këto 34 vite. Këto janë skenat më të turpshme dhe duhet të çohen me media, me gazetarë, me opinionistë, me kushdo që ka një fije dinjitet për të folur për këtë skandal që ndodh sot", u shpreh Këlliçi.