Kryebashkiaku Erion Veliaj ka mbërritur në paraburgimin e Durrësit.
Në seancën e zhvilluar të mërkurën, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masën “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe “detyrim paraqitje” për të shoqen, për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Veliaj u arrestua mesditën e të hënës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Masa “arrest në burg” u la në fuqi edhe biznesmenin Elman Abule, ndërsa për 5 të tjerë është vendosur masa e detyrimit për t’u paraqitur në prokurori.
Bëhet fjalë për biznesmenët që dyshohet se kanë përfituar tendera në mënyrë korruptive nga Bashkia e Tiranës mes të cilëve, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Gjatë seancës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka kundërshtuar gjetjet e prokurorit Dado në ngarkim të tij, ndërsa ka akuzuar këtë të fundit se është në konflikt interesi me të.
“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”, citohet të ketë thënë kryebashkiaku Erion Veliaj në seancë