Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, plas sherri: Hidhen edhe...

Shqipëria

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, plas sherri: Hidhen edhe...

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 13:48 Përditësuar në ora: 14:39 më 13.02.2025
Kuvendi

Noka hedh bidonin e ujit drejt Ballës, plas keq në Kuvend. Spiropali përjashton demokratin nga seanca

Tensione të ashpra ka pasur në zhvillimet parlamentare mes Flamur Nokës dhe Taulant Ballës.

Ndërsa, Balla po fliste, Noka është drejtuar drejt tij dhe ka tentuar ta qëllojë me shishe uji.

Menjëherë ka ndërhyrë Garda e Republikës, e cila nuk ka lejuar Nokën që të vijonte më tej.

Pas këtij incidenti në parlament, ka ndërhyrë kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali. Ajo i ka thënë Nokës se është i përjashtuar.

U ndërpre pas përplasjeve, Spiropali merr vendimin për seancën e Kuvendit

Është shtyrë për ditën e hënë seanca parlamentare.

Lajmi është konfirmuar për Balkanweb nga gazetari Osman Stafa.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ka pasur përplasje të forta verbale mes deputetëve.

 

Në qendër të debateve ka qenë arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, por edhe çështje të tjera të ditës.

Kulmi i tensioneve arriti, kur deputeti i PD Flamur Noka donte të gjuante me shishe uji mbi deputetin socialist Taulant Balla.

Incidenti u ndërpre pas ndërhyrjes të Gardës së Republikës, ndërsa Spiropali shtyu seancën.

Tensione në Kuvend/ Noka, Bardhi dhe Doda tentojnë të bllokojnë foltoren, shtyjnë punonjësit e Gardës

Sërish tensione në Kuvend.

Ndërkohë që fjalën e ka marrë ministri Taulant Balla, demokratët Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kanë tentuar t’i ndërpresin fjalën, ndërsa është dashur ndërhyrja e Gardës që  u bë gardh para foltores.

Më pas drejt foltores janë mbledhur edhe deputetë të tjerë, ku Flamur Noka dhe Petrit Doda shtyjnë punonjësit e Gardës.

Berisha: Jorgo Goro u dënua për tokën që vodhën Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj

Kryetari i PD, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit iu referua pretencës së SPAK për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Berisha tha se Goro u dënua për tokën që vodhën, sipas tij, Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, Artan Gaçi.

“Ku është Olta? Për tokën që vodhi Olta me të shoqin, Jorgo u dënua me 3 vjet. Vodhët tokën publike”, u shpreh Berisha.

Sali Berisha: A e morët vesh sot, Jorgo Goro dënohet 3 vite burg?

Olta, ku je? A e di se u dënua për tokën tënde ai?

Pra, Olta mbrohet këtu, Jorgoja me tre vite dënim për tokën publike që vodhi Olta me të shoqin.

Rama përgënjeshtron Berishën: Nuk do iki në Durrës të takoj Veliajn! Beteja ligjore është e tija, jo e imja dhe PS

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit, duke shpallur hapjen e dy kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian, pasi mori letrën e Presidencës Polake të BE për çeljen e grupkapitullit 3, pas hapjes së grupkapitullit 2 në fund të janarit.

Ai ka ripërsëritur angazhimin për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe ka kritikuar mediat dhe politikanët që përhapin lajme të rreme, duke i quajtur ato si shpifje të pabaza. Kryeministri gjithashtu ka theksuar se betejat ligjore të individëve, si ajo e Erion Veliajt, janë çështje private dhe jo të Partisë Socialiste.

“Dje morëm letrën e Presidencës Polake të BE, për çeljen e grupkapitullit 3 të negociatave ndërkohë që në 29 janar kemi marrë letrën për çeljen e grupkapitullit 2, pra për hapjen e dy dyerve të tjera në korridorin drejt sallës së madhe të familjes së bashkuar europiane.

Sa mbarova fjalën live këtu në kryeministri, ku me ekipin kombëtar të negociatave po prezantojmë edhe për publikun modelin e Inteligjencës Artificiale, i cili sapo ka hyrë në funksion me orë të plota pas testimeve të suksesshme.

Ndërkohë këneta politiko-mediatike paska hapur lajmin e rremë se qenkam nisur të takoj Erionin në Durrës dhe qenkan rreshtuar edhe gazetarët atje.

O llum i madh që e mbytët këtë milet me jashtënxjerrjet e shpirtit të kalbur dhe që e vetmja punë që dini është të nxirrni tërë ditën tituj të ndyrë nga goja juaj apo të shtrembëruar e të nxjerrë nga konteksti kur m’i vini në gojën time, e pastaj t’i komentoni në udhëkryqet e rrugaçërive tuaja të natës!

Erioni është në paraburgim dhe më pëlqen a s’më pëlqen mua se si u trajtua rasti i tij, unë nuk jam ju, nuk jam as si ju dhe as si bufi i kënetës tuaj të kuakuakuave. Beteja ligjore e Erionit është beteja e tij dhe e avokatëve të tij, jo e imja dhe e Partisë Socialiste. Kur them duhet një drejtësi që lufton korrupsionin dhe garanton standartet demokratike, unë them ate që besoj e as më shkon mendja të bëj teatër me vizita në burgje apo të bëhem palë në procesin e drejtësisë në çfarëdolloj forme.

Sepse unë s’jam këneta dhe Zoti nuk më ka dënuar me zhubrazhgarravitje të surratit, duke më imponuar rolin e bufit të kënetës për të larë haqet e një jete të mbrapshtë publike! Dhe siç po e sheh në kanale e portale tërë Shqipëria unë jo SPAKUN që nuk e kontrolloj përderisa kam udhëhequr luftën për krijimin e tij si flamur pavarësie në territorin deri dje komplet të pushtuar të drejtësisë, po as nuk kontrolloj një media të vetme,.

Po e dini pse?

Sepse them atë që bëj dhe bëj atë që them, si udhëheqësi i forcës më të madhe politike të shqiptarëve që duroj tash sa vite llumin tuaj mbi veten e familjen time, vetëm e vetëm se kam marrë përsipër ta çoj me se s’bën Shqipërinë njëherë e mirë përtej kënetës suaj 100 e kusur vjeçare, duke e ulur si zonjë në tryezën e Familjes së Bashkuar Europiane”, shkruan Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat