Dy shtetas janë arrestuar në dy raste të ndryshme për shitje të lëndëve narkotike, konkretisht kokainë, të ndarë në doza. Gjatë operacioneve të intensifikuara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, janë sekuestruar 28,700 euro dhe 600,000 lekë të dyshuara të përfituara nga shitja e kokainës.
Shtetasi Fajon Brahimi, 66 vjeç, u arrestua në Shkozë gjatë kontrollit të banesës së tij, ku u gjet një sasi kokaine e ndarë në doza për shpërndarje, së bashku me paratë e dyshuara nga shitja. Në lidhje me këtë ngjarje, u procedua penalisht bashkëshortja e tij, Sh. B., e cila tentoi të fshihte provat duke hedhur disa doza të lëndës narkotike nga ballkoni i banesës në momentin që pa policinë.
Në një operacion tjetër, shërbimet e Policisë Nr. 2 kanë arrestuar shtetasin Robert Dajanaj, 36 vjeç, i cili u kap në rrugën “Studenti” me kokainë dhe 20,700 euro të dyshuara si të përfituara nga shitja e narkotikëve. Materialet janë dorëzuar në Prokurori për hetime të mëtejshme.
Njoftimi:
Goditen 2 raste të shitjes së lëndës narkotike kokainë, në doza.
Sekuestrohen doza kokaine, 28 700 euro dhe 600 000 lekë, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Vihen në pranga 2 shtetas që ushtronin këtë veprimtari kriminale.
Procedohet penalisht bashkëshortja e njërit prej tyre, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fusha të ndryshme, bazuar në informacionet e siguruara për dy raste të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, kanë intensifikuar kontrollet për goditjen e këtyre rasteve.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapë kapur në Shkozë dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. B., 66 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje, 8000 euro dhe 600 000 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e 66-vjeçarit, shtetasen Sh. B., pasi sapo ka parë shërbimet e Policisë që kishin shkuar për kontroll, ka hedhur nga ballkoni i banesës, disa doza lënde të dyshuar narkotike kokainë.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë kapur dhe arrestuar shtetasin R. D., 36 vjeç, banues në Malësi të Madhe, pasi gjatë kontrollit fizik në rrugën “Studenti” shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe 20 700 euro që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.