Mbulimi i nevojave për likuiditet, kërkesat për kredi në nivele rekord në Shqipëri

Shqipëria

Mbulimi i nevojave për likuiditet, kërkesat për kredi në nivele rekord në Shqipëri

Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 20:16
Foto ilustrim

Bizneset dhe individët po kërkojnë gjithnjë e më tepër kredi nga bankat. Këto të fundit raportojnë kërkesa rekord, ndërkohë që kanë refuzuar një pjesë të vogël të tyre.

Bankat thonë se individët kanë shfaqur interes të shtuar në raport me muajt ose vitet paraardhës, duke pasur nevoja të shtuara për financim, si për blerje banesash, ashtu edhe për konsum gjatë tremujorit të fundit të vitit 2024

Edhe kërkesa e bizneseve ka qenë e lartë në fund të vitit 2024, për të gjitha kategoritë e biznesit dhe për të gjitha llojet e përdorimit të kredisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, e cila bën bilancet, ishin sipërmarrjet e vogla dhe të mesme ato që kërkuan të rrisin financimin për investime dhe për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Normat e ulura të interesit, por edhe perceptimi për të ardhmen, kanë ndikuar tek këto grupe për të kërkuar hua, jo vetëm në lekë, por edhe në valutë të huaj.

Shifrat tregojnë se performanca e kredisë mbetet pozitive, pasi i gjithë portofoli i disbursuar deri në fund të vitit rezulton se ka arritur në 900 miliardë lekë dhe mbështetja e bankave ka qenë pozitive, sidomos për bizneset në sektorin e turizmit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat