Analisti Skënder Minxhozi, në emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi zhvillimet politike në vend.
Ai analizoi reagimet e kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, duke u shprehur, se kryeministrit, “ka gabuar duke heshtur dhe tashmë duke mbifolur”.
“Zoti Rama ka gabuar duke heshtur dhe gabon duke mbifolur. Realisht SPAK është ndërtuar si qendër pushteti brenda drejtësisë së re që ka eklipsuar pjesën tjetër të ngrehinës që u ndërtua në këtë formë. Është krijuar me kalimin e viteve një qendër pushteti brenda reformës që sot trekëndëshi, gjyqtar -prokuror -mbrojtje, ku vetëm mbrojtja nuk kalon në vetting , i zoti i sallës është bërë prokurori. Nëse nuk flet në kohë paqeje, të bërtasësh në kohë luftë duket pak subjektive. Më duket se Rama i sotëm është një njeri që po përjeton, në lëkurë dhe ashpër një realitet që kujtonte se do ta mbante larg partisë së tij, por që sot i ka hyrë brenda në parti.
Ekspozimi që procesi i Veliajt i ka bërë gjithë strukturës që po e heton dhe do ta gjykojë, ka të bëjë me atë që ne e kemi marrë të mirëqenë që është integriteti i korpusit të drejtësisë së re. Kishim ekspertë të huaj…shqyrtoheshin dosje…tani meqë ky proces është shumë i ekspozuar për shkak të Veliajt, ne marrim vesh që në dhomën ku gjykohet, dy komponentët që kanë kaluar vettingun, akuzohen se kanë ca probleme. Mua nuk më hyn shumë në punë si është gjyqtari, por çështja Veliaj do të vijë dhe do të shkojë dhe ata do mbeten aty dhe akuzat ndaj tyre do mbeten të pasqaruara. Pyetja që ngre është, si është situata me gjithë këtë listë njerëzish, nuk dua të shoh për një reformë që e kemi përkrahur, dhe të dëgjoj që paska hyrë në këtë rreth njerëz që dikur kanë gjykuar njerëz për vrasje dhe i kanë nxjerrë të pafajshëm”, ka thënë ai.