Plagosi me thikë në ambientet e gjimnazit adoleshentin, arrestohet 18-vjeçari! Ja si është gjendja e të riut që u dërgua me helikopter

Shqipëria

Plagosi me thikë në ambientet e gjimnazit adoleshentin, arrestohet 18-vjeçari! Ja si është gjendja e të riut që u dërgua me helikopter

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 11:28
Foto ilustrim

Policia e Matit ka arrestuar 18-vjeçarin Donald Lepuri, i cili një ditë më parë, 13 shkurt, plagosi me thikë në shkollën e mesme të fshatit Baz, 17-vjeçarin Alban Gjonaj.

Policia bën me dije se 18-vjeçari u arrestua për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Sipas raportimeve, konflikti mes dy të rinjve ndodhi në ambientin sportiv të shkollës, për motive ende të paqarta.

Mësohet se 17-vjeçari Alban Gjonaj, i cili u transportua me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë, vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq, burime bëjnë me dije se në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Gjergj Kastrioti” në Baz, me 96 nxënës, nuk ka oficer sigurie, dhe as psikologë.

Njoftimi i policisë

Vihet në pranga 18-vjeçari që plagosi me mjet prerës një 17-vjeçar, dje, në shkollën e mesme të fshatit Baz.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në ambientin sportiv të shkollës së mesme në fshatin Baz, arrestuan në flagrancë shtetasin D. L., 18 vjeç, banues në Laç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ky shtetas dyshohet se pas një konflikti të çastit ka plagosur me mjet prerës (thikë), një 17-vjeçar, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat