Veliaj reagon për akuzat: Ku është maunia me 1 mln € rroba të gruas sime?

Shqipëria

Veliaj reagon për akuzat: Ku është maunia me 1 mln € rroba të gruas sime?

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 14:23
Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës ka reaguar sërish nga burgu duke akuzuar prokurorin e çështjes së tij Ols Dado se nuk ka asnjë fakt për akuzat e ngritura ndaj tij.

Veliaj thotë se në dosjen e tij nuk “gjendet dot një rresht ku të thuhet se i kam kërkuar apo marrë rryshfet dikujt ose se është gjetur ndonjë lek i pajustifikuar”.

Reagimi i Erion Veliajt

Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që neveriten kur shikojnë se si dalin nga gjirizet mediatike fustanët e sime shoqeje. Por, a ma thotë dot kush, ku është maunia me gati 1 milion Euro mall?

Se për 1 milion Euro mall duhet një dyqan si ai i brekëve dhe sutjenave të nuses së Sali fundërrinës në Bllok apo jo?

Përderisa edhe lavamanët i shkulën nga vendi në gjithë ambientet në Tiranë e në Golem, për të kërkuar ndonjë varëse floriri të fshehur, në mure e dysheme, ku dihet botërisht se jetojmë në pallat të ndërtuar në vitin 2012 (kam hyrë në atë apartament kohë më parë se sa të bëhesha kryetar bashkie, leje e Komunës Farkë e Bardh Plakut, as e dhënë nga unë vetë), atëherë duhet t’i kishin provat materiale besoj, apo jo?

Kanë blerjet online do thoni ju.

Por, ja që e vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time, që gjatë intervistës më tregonte se si kontrollonte gruan e tij dhe më pyeti edhe “çfarë hamë?”.

Po po, e lexuat mirë, çfarë hani ju tha! Pa merak, se do ju’a tregoj edhe këtë, këtu jemi! U pa puna, ata me letra anonime dhe metoda sigurimse, unë me letra nga burgu, ku më morën peng pa gjyq.

Po si është e vërteta?

E vërteta ime do të dalë e gjitha, jini të bindur. Por, mundohuni të kuptoni, se sa më e vështirë bëhet kjo betejë krejt e pabarabartë, kur të marrin peng, siç më kanë marrë mua, dhe flasin vetëm ata, duke furnizuar gjirizët me “faktet” e tyre të njëanshme.

Unë jam akoma person i dyshuar, se s’më kanë marrë dot të pandehur, ngaqë nuk kanë një fakt të vetëm, as në dosjen prej sigurimsi të Ols Dados. Aty nuk gjendet dot një rresht ku të thuhet se i kam kërkuar apo marrë rryshfet dikujt ose se është gjetur ndonjë lek i pajustifikuar. Por, ndërkohë unë akuzohem për korrupsion.

A nuk duket se më kanë mbyllur brenda, pikërisht që të mos ballafaqohesha me “faktet” e me gazetarët “kompetentë”, që furnizohen nga prokurorët edhe përpara avokatëve?

Gjejani vetë përgjigjen kësaj pyetjeje, se ndryshe nga Ols violina dhe gjithë fyejt e qemanetë e gjirizëve, unë nuk ngre akuza pa prova.

Në thertoren e Erjon Banit – se vetëm sallë gjyqi nuk qe – kërkova që Ols Dado të largohet nga çështja dhe të futet në dosje si një prokuror që ka përdorur telefonin e paguar nga taksat për të kërkuar leje ndërtimi për veten e tij. Ndërsa, për adashin tim gjykatës s’kam çfarë them fare. I bërë njësh me prokurorin dhe i paduruar që t’i jepte Sali fundërrinës lajmin e mirë të pengmarrjes time pa gjyq.

Bekime e përqafime të gjithëve, mbani besimin dhe kokën lart për Tiranën tonë që ka nevojë për energjitë pozitive të secilit, pavarësisht rrethanave të momentit! Forca

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat