Aplikimet për njohjen e viteve të punës pa dokumente do të nisin në muajin mars. Ish-punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore duhet të bëjnë deklaratën në e-Albania për të përfituar pension më të lartë.
Njohja e viteve të punës në ish-ndërmarrjet shtetërore është sanksionuar me ligj dhe 30 mijë individë pritet të përfitojnë pensione të plota. Por, për të llogaritur vitet e punës pa dokumente, ka një procedurë që duhet ndjekur nga ish-punonjësit.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron se çdo individ do të aplikojë për pension në profilin e vet në e-Albania. Në dosjen bashkangjitur, ai do të dorëzojë edhe një deklaratë ku shkruan në mënyrë vullnetare se ka punuar në ish-kooperativat apo ndërmarrjet bujqësore, por nuk ka dokumentet përkatëse. Këtë deklarim do ta shoqërojë me një certifikatë banimi të viteve që ka punuar në fshat apo në qytet, aty ku ka qenë i punësuar.
Aplikimet pritet të bëhen efektive gjatë pranverës, pasi parashikohet edhe miratimi i një vendimi, i cili do të detajojë llojet e aktivitetit si dhe mënyrën e krijimit të tyre.
Ndërkohë, ISSH shton se individët që janë në proces ankimimi administrativ apo gjyqësor kanë të drejtë të shmangin këto procedura, pasi do të përfitojnë direkt nga ligji.