GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Altin Kodrës, i cili ankimoi kundër urdhrit të Ministrisë së Drejtësisë, për vendosjen e tij në regjimin e posaçëm 41-bis.
Kodra, i dënuar me 22 vite burgim për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, ka kaluar në regjimin e posaçëm 41 bis në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Altin Kodra me datë 20.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Ankim kundër Urdhërit të Ministrit të Drejtësisë Nr. 623, datë 06.12.2024 “ Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të Sigurisë së Lartë, të të burgosurit Altin Kodra”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet 112 dhe 471 e vijues të K.Pr.Penale, si dhe nenin 17 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me vendimin Nr. 20/743, datë 14.02.2025 vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (të dënuarit) Altin Kodra.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posacme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.
KUSH ESHTE ALTIN KODRA
Altin Kodra është dënuar me 22 vjet burgim me vendimin nr. 236, datë 10.06.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 76 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Gjatë kohës që ka qenë duke vuajtur dënimin, ai është dënuar edhe për vepra të tjera penale. Me vendimin nr. 128, datë 11.10.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është dënuar për kryerjen e veprës penale “Largim nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga nenet 323-25-22 të Kodit Penal.
Po ashtu, është dënuar në dy raste të tjera, me vendim të formës së prerë nr. 576, datë 02.07.2021 dhe nr. 278, datë 04.05.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”, sipas nenit 324/a/1 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.
Regjimi i posaçëm “41-bis” është një masë për të burgosurit që janë të përfshirë në veprime të rënda penale, si pjesëmarrës në grupe të strukturuara kriminale, organizata kriminale, banda të armatosura ose organizata terroriste. Ky regjim është një masë për sigurinë e lartë dhe për individët me statusin e të paraburgosurit.