Analisti Andoni: Si ka ndikuar arrestimi i Veliajt në politikën shqiptare

Shqipëria

Analisti Andoni: Si ka ndikuar arrestimi i Veliajt në politikën shqiptare

Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 16:49
Analisti Ben Andoni

Analisti Ben Andoni, në një lidhje live për Euronews Albania, komentoi arrestimin e Erion Veliaj me urdhër të SPAK-ut.

Sipas tij, ky arrestim ka shërbyer si një lloj “ushqimi” për opozitën dhe është përdorur për qëllime spektakli, ndërsa ka shkaktuar një lloj tronditjeje në shumicën qeveritare, duke e çuar atë pothuajse në një gjendje pas “nokdaunit”.

“Ky arrestim i ka dhënë oksigjen Partisë Demokratike në këtë moment dhe, nga ajo që kam parë, ka një lloj ngazëllimi brenda PD-së. Është justifikuar me faktin se arrestimi i një zyrtari në detyrë është një ngjarje e madhe dhe një kauzë e fortë. Megjithatë, nga çfarë kemi parë, gjithçka është kanalizuar për retorikë në favor të zotit Berisha. Në këtë retorikë, mungojnë elementet novatore dhe qartësia për një vizion të ardhshëm”, tha Andoni.

Sipas tij, një arrestim i tillë forcon perceptimin publik se Partia Socialiste është e përfshirë në korrupsion, por opozita e ka përdorur për të theksuar diferencën me rivalët e saj politikë.

“Arrestime të tilla i japin ushqim argumentit se PS është e korruptuar, por nga ana tjetër, Berisha e ka përdorur këtë situatë për të forcuar narrativën se PD është më e mirë se PS. Nga ana tjetër, PS është në një gjendje tulatjeje, pothuajse nokdaun, dhe do të duhet kohë për të parë nëse do të rimëkëmbet. Sa i përket Ramës, ai po mundohet të marrë revanshin e duhur, por roli i tij në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Veliajt mbetet i paqartë”. tha Andoni.

Analisti vlerësoi se arrestimi i Veliajt u përdor më shumë si një element spektakolar nga politika sesa si tregues real i një hapi përpara në luftën kundër korrupsionit.

“Opozita e ka pritur me padurim këtë arrestim gjatë gjithë verës, dhe duket se politika e ka bërë Veliajn më shumë një shembull për spektakël sesa ka arritur të tregojë se ka kapur një fazë më të avancuar. Nga ana tjetër, detyrat më të vështira për këtë vit nuk janë më mbi SPAK-un, por mbi GJKKO-në, e cila do të shqyrtojë dosjet e sjella dhe sa të kopsitura do të jenë ato”, theksoi analisti.

Në fund, Andoni tha se situata aktuale ka nxjerrë në pah problemet infrastrukturore të institucioneve të drejtësisë dhe një krizë të përgjithshme politike.

“Kjo situatë na ka treguar se institucionet tona ende kanë probleme infrastrukturore, ashtu siç e vuri në dukje edhe vetë Rama.

Politika jonë në këtë moment ka treguar se është relativisht në një fazë të ulët, dhe mendoj se edhe legjislatura e ardhshme mund të jetë më e dobët se kjo aktualja,” përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat