Qeveria e Shqipërisë ka realizuar një emetim eurobondi prej 650 milionë eurosh në bursën e Londrës me një normë interesi prej 5%. Sipas Ministrisë së Financave, ky borxh do të shlyhet për 10 vjet, duke pasur maturimin në vitin 2035.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë arritje si një ngjarje shumë pozitive për vendin dhe theksoi tre arsye për suksesin e këtij emetimi:
Investitorët e huaj ofruan më shumë se nevoja e Shqipërisë, duke arritur deri në 4.3 herë kërkesën, dhe oferta shkoi deri në 5.7 herë më shumë.
Ky emetim ka regjistruar një mbulim rekord në rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore që nga tetori i vitit 2024.
Normat e interesit për këtë borxh janë më të ulëta sesa ato të disa vendeve të tjera si Serbia dhe Rumania, të cilat kanë një vlerësim më të lartë kreditor.
Kryeministri Rama po ashtu theksoi se Shqipëria është tani në një pozicion të ri dhe të fortë në tregjet financiare ndërkombëtare dhe tha se ky emetim tregon besimin që investitorët kanë në ekonominë shqiptare. Ai gjithashtu iu foli për opozitën dhe tha se shqiptarët do të japin përgjigjen e duhur në zgjedhjet e 11 majit.
“Shqipërisë po i besojnë të gjithë. E di që këneta politico mediatike nuk do i japë fare hapësirën se po ju mban të lidhur pas iluzioneve të bufit të kënetës. Në 11 maj do të mbetet bashkë me zvarranikët dhe amfibët në vaki shembullore elektorale”, deklaroi Rama.
Ministria e Financave njoftoi se norma fillestare e eurobondit ishte 5.5%, por për shkak të interesit të lartë nga investitorët, norma u ul. Ky është eurobondi i shtatë që Shqipëria emeton në tregjet ndërkombëtare, duke e çuar totalin e borxhit të marrë prej vitit 2010 në 3.8 miliardë euro.
Krahasuar me emetimet e kaluara, ky borxh ka një normë interesi 0.9% më të ulët se ai i vitit 2023, që ishte 5.9%. Normat më të larta janë regjistruar në vitin 2010 me 7.5%, ndërsa ato më të ulëtat ishin në vitin 2020-2021 me 3.5%.