Kredia për biznesin e vogël shënoi një rritje mesatare prej 12% në 6-mujorin e dytë të vitit 2024, bëri të ditur Banka e Shqipërisë, në raportin e publikuar sot mbi “Tendencat e kreditimit”.
Krahasuar me gjashtëmujorin e parë, kredia për biznesin e vogël u rrit me 4 pikë përqindje, ndërsa ajo për biznesin e mesëm shfaqi ngadalësim në 3.8%, si norma më e ulët e tre viteve të fundit.
Sipas BSH-së, këto dinamika brenda nënsegmenteve të kredisë për biznesin kanë përcaktuar edhe zhvendosjen e strukturës së kredisë drejt biznesit të madh, i cili përfaqëson 53.7% të totalit, ose 5.4 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Bankat kanë rritur financimin e bizneseve në të gjithë sektorët e ekonomisë, dhe rritja vjetore e portofolit është dyshifrore për të pesta kategoritë kryesore, por më e fortë ajo ka qenë për sektorin e hoteleri – turizmit.
Zgjerimi vjetor i këtij portofoli me 25%, ishte 5 pikë përqindje më i lartë se norma e shënuar në periudhën paraardhëse. Gjithashtu përshpejtim të ndjeshëm shënoi edhe kredia për sektorin e industrisë dhe tregtisë me norma të larta rritjeje përkatësisht me 20% dhe 15.8%.
Ndërkohë, kredia për sektorin e ndërtimit dhe për bujqësinë shënoi një rritje me mesatarisht 16.5% dhe 11.4%. Këto zhvillime konfirmojnë se kërkesa e lartë për financim vjen nga bizneset e të gjithë sektorëve ekonomikë dhe bankat.
Më e theksuar kjo kërkesë ka qenë për investime të lidhura si me sektorin energjetik- projekte për energjinë e rinovueshme; ashtu edhe me sektorin e hotelerisë, si dhe me sektorët që lidhen me hallka të tjera të zinxhirit ekonomik dhe që reflektojnë interesin e shtuar për turizëm në vendin tonë.
Në fund të vitit, shpërndarja sektoriale ka mbetur përgjithësisht e njëjtë me atë të qershorit 2024, ku sektori i tregtisë dominon portofolin me 43.8% të totalit, më pas renditet ai i industrisë që zë 20.8%, sektori i ndërtimeve dhe shërbimeve të tjera përfaqësojnë secili rreth 16.5% ndaj totalit, dhe sektori i bujqësisë me një peshë minimale prej 1.3%. Këto zhvillime janë në linjë me kontributin sektorial të tyre në rritjen e aktivitetit ekonomik në vend.
Kredia për sektorin e industrisë më shumë se rritje të financimit real për veprimtarinë e sektorit ka reflektuar efektin e një kredie të madhe dhënë biznesit në sektorin e energjetikës për shlyerjen e financimit të marrë jashtë vendit.