Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vlerësuar figurën e diplomatit dhe publicistit të njohur Shaban Murati, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 79-vjeçare.
Në një mesazh ngushëllimi, Topi e cilësoi Muratin si një nga njohësit më të thellë të politikave rajonale dhe ndërkombëtare, duke e përshkruar si një vizionar largpamës dhe kurajoz.
“Shaban Murati ishte një nga njohësit më të mirë të politikave në Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Një vizionar me mendim të qartë këshillues politik dhe diplomatik, gjithnjë në përputhje me interesat më të larta të shtetit dhe kombit,” u shpreh Topi.
Ai vuri në dukje rolin e Muratit në nxitjen e diplomacisë shqiptare për të mbajtur një qëndrim aktiv në raport me sfidat e integrimit evropian dhe atlantik.
“Murati nxiti gjithmonë mbajtjen e një qëndrimi aktiv të diplomacisë shqiptare, në përputhje me sfidat e integrimit evropian dhe atlantik, duke u përballur me guxim për realizimin e këtyre sfidave,” theksoi ish-presidenti.
Topi vlerësoi gjithashtu veprën dhe analizat e thella që Shaban Murati ka lënë pas, duke i cilësuar si një manual të vlefshëm për institucionet shtetërore në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë.
“Vepra dhe analizat largpamëse të Shaban Muratit janë me vlerë për të sotmen dhe të ardhmen, si dhe një nxitje për diplomacinë shqiptare që të ndërmarrë nisma në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare,” përfundoi Topi.