Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e 61 të Sigurisë, (MSC) që mbahet në Mynih në datat 14 – 16 shkurt, me pjesëmarrjen e liderëve botërore për të diskutuar mbi sfidat e politikës globale të sigurisë, nën drejtimin e Kryetarit të Konferencës së Sigurisë Christoph Heusgen.
Programi, me fokus në sfidat globale të sigurisë, përfshirë qeverisjen globale, qëndrueshmërinë demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.
Në ditën e dytë, debati do të përqendrohet në gjendjen e rendit ndërkombëtar, krizave dhe konflikteve rajonale. E ardhmja e partneritetit transatlantik do të jetë gjithashtu një diskutim i rëndësishëm i ditës së dytë të konferencës. Në ditën e tretë të saj, konferenca do të përmbyllet me diskutime mbi rolin e Evropës në botë.
Kryeministri Rama do të jetë një nga panelistët në panelin e diskutimit me temë “Përtej konfliktit: Vlerësimi i rrugëve dhe pengesave për paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, – që do të moderohet nga Drejtori i Akademisë së Çështjeve Ndërkombëtare Mayssoun Zein Al Din.
Me Kryeministrin Rama në panel do të jenë, Kancelari Federal i Austrisë, Alexander Schallenberg; Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal Bin Farhan Al Saud, si dhe Zv/Presidentja e “Brookings Institution”, Suzane Maloney.
Kryeministri Rama do të jetë gjithashtu panelist në Panelin me temë “ Zgjerimi i BE” , së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski; Presidenten e Parlamentit europian Roberta Metsola; Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin Marta Kos.
Gjatë vizitës, Kryeministri Rama do të zhvillojë takime edhe me kryetarë shtetesh e qeverish, përfaqësues te institucioneve te rëndësishme ndërkombëtare, organizata të shoqërisë civile dhe kompani të rëndësishme që veprojnë në fushën e sigurisë kibernetike, digjitalizimit, etj