Zhvillimi i investimit strategjik në ishullin e Sazanit nga dhëndri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jared Kushner, ishte pjesë e intervistës së ministrit të Mbrojtjes Vëngu.
Pirro Vëngu shpjegoi se Sazani mbetet pronë e shtetit, i cili në këtë investim do të jetë dhe aksionerë. Ministri zbuloi gjithashtu dhe investimet që po bëhen në Pashaliman.
“Sazani mbetet pronë e shtetit shqiptar. Ne kemi lejuar një investim strategjik për zhvillimin e zonës. Nuk kemi tjetërsim të Sazanit. Sazani ka shërbyer për vite në një vend të mbyllur në një vend që mendonte se do ta sulmonin të gjithë të mëdhenj e të vegjël., dhe në një 30 vite nuk e ka shijuar asnjë shqiptar. Po kthehet në tokë normale në dispozicion të zhvillimit turistik të vendit dhe pak njerëz e dinë që shteti do të jetë pjesë si aksionerë në atë investim.
Ne po investojmë në Pashaliman dhe kantierin e tij dhe aty të ketë përsëri aktivitet prodhues, pasi strategjia e qeverisë është që me aeroportin, Pashalimanin dhe prodhimin ushtarak dhe turizmin të kemi dy shtylla ekonomike për Vlorën që zhvillohet”, tha Vëngu në “Off the Record”.