Me çfarë armësh krenohet ushtria shqiptare? Vengu: Nuk kemi asnjë avion, gabim i pafalshëm

Shqipëria

Me çfarë armësh krenohet ushtria shqiptare? Vengu: Nuk kemi asnjë avion, gabim i pafalshëm

Më: 15 shkurt 2025 Në ora: 23:12
Pirro Vengu

Më shumë ushtarakë, më shumë armatim dhe krenaria e re e ushtrisë shqiptare.

Ministri  i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu foli rreth procesit të forcimit dhe modernizimit të ushtrisë shqipare dhe synimeve të saj për të ardhmen, ndikuar kjo dhe nga zhvillimet e fundit gjeostrategjike.

Teksa e cilësoi heqjen e aseteve ushtarake ndër vite si një gabim të pafalshëm, numri një i Mbrojtjes u shpreh  se sot vendi ynë është i pajisur me mbrojtje kundërajrore, sisteme artilerie, dronë dhe madje shumë shpejt do të ketë dhe 2 avionë të cilët do të përdoren për shkollën e pilotëve, por edhe emergjencat.

“Ne synojmë të marrim seriozisht kërcënimet në rajon. Kemi kërcënimet hibride që po bëhen agresive dhe Shqipëria nuk përbën përjashtim. Synojmë të rijetëzojmë industrinë ushtarake. Na duhen sisteme të caktuara dhe të jemi të strukturuar në parandalimin e kërcënimeve. Shpesh herë njerëzit e lidhin fuqinë kombëtare me prestigjin. Por strategjia jonë nuk është lidhur me nostalgjinë. Sot nuk kemi asnjë avion ushtarak e bombardues. Ky ishte një gabim i pafalshëm që kemi hequr shumë asete duke e katandisur FA në një forcë modeste. Jemi në kurbën e ringritjes. Nuk dua të them kush është përgjegjës.

Më thonë përse nuk blen Shqipëria tanke. Çfarë do bëjmë me to. Ne jemi duke u armatosur si vendet e NATO. E gjithë aleanca është në një fazë riarmatosje. Ne po marrim sisteme artilerie, mbrojtje kundërajrore, kemi 3 dekada që nuk i përdorim më. Kemi flotën e dronëve që i kemi zgjedhura dhe do të marrim pajisje të tjera. Nuk është shqetësues fakti që nuk kemi asnjë avion. Jemi pjesë e një sigurie kolektive. Nuk është synimi që të gjithë aleatët të kenë F-16 apo Rafale. Do kemi element krenarie sa i përket armatimit. Do investojmë në dy avionë që të kemi një shkollë pilotësh për avionë. Ky është një problem. Këto avionë do të shërbejnë dhe për emergjencat civile. Kemi përmbushur detyrimet ndaj Aleancës”, tha Vengu në A2 CNN.

Pyetjes nëse Shqipëria do të rikthejë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, ministri i Mbrojtjes, iu përgjigj se synimi parësor është që FA të bëhet tërheqëse për të rinjtë dhe për të hapur për ta mundësi karriere brenda ushtrisë. Vengu shpjegoi kalimin në kuvend të ligjit për forcën rezerviste dhe objektivat e tij.

“Duam të shumëfishojmë njerëzit e mobilizueshëm. Kaluam ligjin për forcës rezerviste. Synojmë të kemi dhe 2000 ushtarakë rezervistë dhe ta ruajmë këtë proporcion me 1/5. Duam të kemi ushtarake aktivë, por edhe rezervistë. Ne kemi bërë një analizë dhe jemi krahasuar dhe me NATO dhe ka disa vende që kanë pasur sukses dhe të tjera kanë dështuar. Ato që kanë pasur sukses me rekrutimin e të rinjve, e kanë bërë Forcën e Armatosur atraktive për të rinjtë. Ka mijëra të rinj në Norvegji që e kanë për nder të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura pasi plotësojnë kreditë akademike dhe marrin një profesion. Ne duam për momentin që ta bëjmë tërheqëse. Duam të hapim rrugë karriere për të rinjtë që vijnë nga fakultetet e mira. Do na duhen 10 inxhinierë armatimi. Patjetër që do krijohen në fakultete inxhinierësh dhe këtyre t’iu ofrojmë shkollimin, statusin e ushtarakut dhe të punësohen në ushtri. Në këtë mënyrë hapen rrugë karriere për civilët”, tha Ministri i Mbrojtjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat