Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Theft Network”, duke goditur një grup kriminal që kryente vjedhje automjetesh, mjetesh lundruese dhe banesash në qarkun e Durrësit dhe Tiranës. Si rezultat i këtij operacioni, janë vënë në pranga katër persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Nga hetimet janë konstatuar katër raste vjedhjesh të ndodhura në Sukth, në fshatin Bilalas dhe në Mullet, Tiranë. Konkretisht, është zbardhur vjedhja e një mjeti lundrues skaf në Sukth, një tabakinoje në fshatin Bilalas, si dhe dy automjeteve, një furgon dhe një kamionçinë të vjedhura në Mullet më 13 shkurt 2025.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar një mjet lundrues, një kamionçinë, rrobat e përdorura nga autorët gjatë një prej vjedhjeve dhe katër celularë.
Të arrestuarit lidhur me këtë rast janë:
shtetasi me iniciale D.S., 26 vjeç, banues në Marikaj;
shtetasi me iniciale D.M.,18 vjeç, banues në Shkodër;
shtetasi me iniciale E.M., 38 vjeç, banues në Mamurras;
shtetasi me iniciale A.L., 48 vjeç, banues në Mamurras.
Në kërkim është shpallur shtetasi me iniciale E.Z., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë vijojnë veprimet hetimore për dokumentin ligjor të vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.