Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u ka bërë apel qytetarëve në të gjithë vendin, që t’i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut përmes njësive lëvizëse, të cilat do të jenë të pranishme në çdo qytet gjatë gjithë muajit shkurt.
Ministrja Koçiu, përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se “njësia lëvizëse e dhurimit të gjakut këtë javë ka qenë pranë qytetarëve në Bashkitë Librazhd, Gramsh, Cërrik, Lezhë dhe Peqin.
Falë solidaritetit dhe humanizmit tuaj, dhjetëra pacientë do të kenë një shans më shumë për jetën!”
Ministrja u kujton qytetarëve se duke nisur nga e hëna, ekipi i njësive lëvizëse të dhurimit të gjakut do të vijojë misionin në Bashkitë Ersekë, Përmet, Roskovec dhe Kuçovë.
“Një gjest i vogël, një jetë e shpëtuar! Dhuro gjak dhe bëhu shpresë për ata që kanë më shumë nevojë”, thekson ministrja.