Konferenca e Mynihut/ Ministri Hasani rikonfirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në forcimin e partneriteteve

Shqipëria

Konferenca e Mynihut/ Ministri Hasani rikonfirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në forcimin e partneriteteve

Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 13:30
Igli Hasani

Në datat 14-16 Shkurt 2025, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë në Edicionin e 61-të të Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC 2025), i cili është një nga forumet më prestigjioze ndërkombëtare për çështjet e sigurisë dhe politikës globale.

Ministri Hasani zhvilloi një sërë takimesh të frytshme e produktive në këtë konferencë, ku përfshihen shkëmbimet me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ayman Al-Safadi; Ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Abdullah Al-Yahya; Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla-Shwarz; Senatoren Amerikane, Elissa Slotkin; Anëtarin e Komitetit të Sigurisë Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, Mike Martin; dhe Nënkryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Finlandë, Tytti Tuppurainen.

Përgjatë çdo takimi, Hasani rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në forcimin e partneriteteve, sigurinë rajonale dhe mbështetjen ndaj sovranitetit të Ukrainës.

Sipas Ministrit Hasani, “Multilateralizmi është çelës në adresimin e kërcënimeve hibride dhe ndihmon njëkohësisht në avancimin e agjendës për paqe e siguri të qëndrueshme“.

Gjithashtu, Ministri Hasani ishte i ftuar nderi dhe një nga folësit kryesorë  në tryezën e rrumbullakët mbi Taktikat e Zonës Gri në Kontinentin Evropian, të organizuar nga Kryetari i MSC 2025, ish-Ambasadori Christoph Heusgen, me fokus diskutimin mbi sfidat e reja të sigurisë evropiane dhe rajonale. Në këtë tryezë, Ministri Hasani u shpreh se:

“Lufta në Ukrainë, së bashku me rritjen e frekuencës së sulmeve kibernetike dhe hibride, e rrisin nevojën për një përgjigje më të fortë e më të bashkuar Evropiane. Duke vepruar së bashku, ne mund të sigurojmë një të ardhme më të sigurt për Shqipërinë, për Ballkanin Perëndimor dhe për tërë rajonin Euro-Atlantik”.

Pjesëmarrja e Ministrit Hasani në këtë forum të rëndësishëm nënvizon angazhimin e Shqipërisë për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbështetjen e paqes dhe stabilitetit global.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat