Java do të nisë për Sali Berishën në dyert e Prokurorisë së Posaçme, ku nesër do të shkojë për të respektuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të vendosur ndaj tij nga GJKKO, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.
Bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike në ambientet rreth SPAK-ut duket se do të jenë të pranishëm edhe këtë herë mbështetës të Berishës.
Madje për ta bërë të mundur këtë është kujdesur vetë kryedemokrati, i cili ka bërë thirrje për mobilizim nga strukturat e selisë blu për të qenë në orën 9:30 përpara SPAK.
“Të dashur miq. Nesër ditën e hënë në ora 9:30 sërish Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha do jetë në dyert e SKAP-it! Ju lutem te mobilizojmë strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty. Në ora 9:30 përpara selisë SKAP-it. Faleminderit!”, thuhet në mesazhin e PD për strukturat e saj.
Kjo thirrje e Berishës për të grumbulluar mbështetësit e tij para SPAK vjen vetëm dy ditë pasi kreu i PD e paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se në rast të tubimeve pro Erion Veliajt para dyerve të GJKKO apo SPAK, opozitarët do të përgjigjeshin me një kundër-protestë në mbrojtje të organeve të drejtësisë.
“Janë tejkaluar të gjitha normat. Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirrje protestë, do thirret protesta përfundimtare për ty”, tha Berisha në konferencën për media të së premtes.