I shqetësuar nga tubimet para SPAK të qytetareve në mbështetje të Erion Veliajt, Sali Berisha kërcënoi të premten se do dalë vetë në mbrojte të institucioneve të drejtësisë, si gardian.
Por nuk zgjati shumë, dhe Berisha udhëzoi të gjitha strukturat e Partisë Demokratike që të protestojnë me militante para SPAK, mëngjesin e sotëm, kur të paraqitet pranë oficerit të policisë gjyqësore, për dosjen Partizani, në të cilën po gjykohet për korrupsion.
Ky është mesazhi i dërguar në Whatsapp, nga selia blu tek drejtuesit e degëve dhe anëtarët më të thjeshtë, ku kërkohet një mobilizim në mbështetje të Sali Berishës.
“Te dashur miq. Ditën e hënë në ora 9:30 sërish, Kryetari i PD Prof. Dr Sali Berisha do jetë në dyert e SKAP-it. Ju lutem të mobilizojmë strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty. Në ora 9:30 përpara selisë së SKAP-it. Faleminderit!”, thuhet në mesazh.
Vete Berisha, pretendoi se nuk ka thirrur asnjëherë demokratët para dyerve të SPAK, por qytetaret me dëshirën e tyre kërkojnë të ndjekin konferencat dhe jo protestat sipas tij, para derës së Prokurorisë.
Edhe ky mesazh i radhës provon se kryedemokrati udhëzon strukturat të protestojnë në formë presioni ndaj drejtësisë që heton dhe gjykon ish-kryeministrin.
Ndërsa Berisha paralajmëronte kryeministrin Rama se do i përgjigjej tubimit në mbështetje të Erion Veliajt, me kundër protestë, mesa duket kryedemokrati ka merak ekskluzivitetin e protestave në oborrin e SPAK për presion me militante demokrate.
Sot mbetet të shihet vetëm gjuha që do të përdorë Berisha ndaj SPAK. A ka ende respekt kryedemokrati për prokurorin e gjyqtarin që arrestuan Veliajn, apo do i rikthehet klithmave me nofkën që vetë i vendosi, “Skap i partisë”, siç lexohet dhe në mesazh.