Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka komentuar propozimin e opozitës për ndryshime në Kodin Zgjedhor, lidhur me votimin e emigrantëve me dokumente identifikimi të huaja.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Majko theksoi se një ndryshim i tillë në këtë fazë të procesit zgjedhor do të ndryshonte rregullat e lojës dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm.
Sipas Majkos, ky propozim i opozitës mund të shërbejë si justifikim për bllokimin e procesit të votimit nga jashtë.
“Të gjithë shqiptarët jashtë vendit do të kenë mundësinë të votojnë pa pagesë. Ky është një sukses i madh, por problemi që shoh unë është se opozita po kërkon të ndryshojë thelbësisht rregullat e lojës në këtë fazë të procesit zgjedhor,” deklaroi ai.
Majko sqaroi se në diskutimet mbi ndryshimet e Kodit Zgjedhor, opozita ka paraqitur një propozim të ri, sipas të cilit shqiptarët jashtë vendit të mund të votojnë edhe me pasaporta të huaja. Megjithatë, të dyja palët janë dakord që ky propozim të shqyrtohet nga Komisioni Rregullator i KQZ-së.
“Kjo do të nënkuptonte që komisioni rregullator të vendosë me katër vota nëse shtetasit shqiptarë jashtë vendit do të mund të votojnë me pasaporta të huaja. Mua personalisht kjo më duket një manovër që mund të përdoret për të penguar votimin nga jashtë,” u shpreh ai.
Majko paralajmëroi se ndryshime të tilla në momentin aktual mund të përdoren si pretekst për bllokimin e procesit të votimit të emigrantëve, duke krijuar pasiguri ligjore dhe administrative në prag të zgjedhjeve.
“Kush na siguron se nesër nuk na vjen dikush dhe të na thotë që me pasaporta të huaja mund të votohet dhe në Shqipëri cfarë rëndësie ka, greke, malazeze etj, çfarë do thonit ju?”