Debat për votën e diasporës, Peleshi: Shqiptarët meritojnë të përfaqësohen kudo ndodhen

Shqipëria

Debat për votën e diasporës, Peleshi: Shqiptarët meritojnë të përfaqësohen kudo ndodhen

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 16:43
Niko Peleshi

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij në Kuvend theksoi rëndësinë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për të mundësuar votën e diasporës. Ai u shpreh se ky proces nuk është në interes të maxhorancës, por në interes të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit.

Shqipërisë i duhet kontributi i diasporës në zgjedhje, pasi është një e drejtë që na përket njëlloj – shqiptarëve në Shqipëri dhe shqiptarëve në diasporë,” tha Peleshi. Ai theksoi se ky është një borxh i kahershëm që duhet të shlyhet dhe shpresoi për mbështetjen e opozitës në këtë iniciativë.

Duke folur për reformat që Partia Socialiste ka ndërmarrë gjatë qeverisjes së saj, Peleshi nënvizoi transformimin e sistemit të drejtësisë, rritjen e pagave dhe investimet në infrastrukturë. Ai theksoi se përkundër sfidave dhe kostove politike, PS ka mbajtur gjithmonë kursin e reformave të guximshme dhe modernizimit të vendit.

Ne ndërtojmë, ju shkatërroni! Kjo ka qenë dhe mbetet diferenca e madhe mes nesh dhe jush,” deklaroi Peleshi, duke iu referuar opozitës. Ai u bëri thirrje socialistëve të angazhohen maksimalisht për zgjedhjet e 11 majit, duke kërkuar votën në çdo familje dhe adresë, për të vijuar rrugën e stabilitetit dhe zhvillimit të Shqipërisë.

Në përfundim, ai theksoi se shqiptarët do të zgjedhin progresin dhe jo konfliktin, duke konfirmuar edhe një herë besimin te Partia Socialiste si forca që garanton stabilitet dhe integrim europian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat