Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ka denoncuar gjendjen e rënduar të industrisë prodhuese dhe bujqësisë në Shqipëri, duke i cilësuar si sektorë në prag të falimentimit për shkak të politikave të dështuara ekonomike të qeverisë.
Tabaku theksoi se bujqësia ka pësuar rënie për gjashtë tremujorë radhazi, ndërsa industria prodhuese, veçanërisht sektori fason, po përballet me vështirësi ekstreme për shkak të zhvlerësimit të euros dhe ngarkesës fiskale. “100 mijë punonjës të industrisë fason janë në rrezik, ndërmarrjet po mbyllin dyert, eksportet janë në rënie të lirë,” deklaroi ajo, duke kritikuar taksën 15% mbi fitimin dhe mungesën e masave mbështetëse nga qeveria.
Sipas deputetes demokrate, qeveria socialiste ka pasur 12 vite në dispozicion për të ndryshuar situatën ekonomike, por ka zgjedhur të favorizojë oligarkinë dhe investitorët strategjikë në vend që të ndihmojë prodhuesit vendas. “Në Shqipëri është më e thjeshtë të miratosh një ligj për një investitor strategjik sesa të hapësh një biznes të vogël. Kjo është historia e 12 viteve të fundit,” u shpreh ajo.
Tabaku denoncoi se qeveria ka dështuar të mbështesë fermerët, duke e përkeqësuar situatën me skemën e rimbursimit të TVSh-së dhe eliminimin e fondeve të IPARD-it. Ajo solli në vëmendje se përpjekjet e deputetit Agron Duka për të miratuar një paketë fiskale për bujqësinë janë bllokuar për vite me radhë, ndërsa socialistët po tentojnë të propozojnë masa të ngjashme në prag të zgjedhjeve.
“Ekonomia shqiptare ka nevojë për një hov të ri, për një politikë të re, për një stimul që nuk erdhi kurrë në 12 vite,” tha Tabaku, duke prezantuar alternativën e Partisë Demokratike për një model ekonomik që mbështet prodhimin vendas, eksportet dhe një regjim fiskal të favorshëm për bizneset.
Në përfundim, Tabaku theksoi se ndërsa qeveria vazhdon të miratojë marrëveshje formale pa ndikim në sektor, bizneset e ndershme po falimentojnë. “Është shumë vonë për të dhënë zgjidhje, sepse kjo kërkon një ndryshim mendësie që socialistët nuk e kanë pasur dhe nuk do ta kenë kurrë,” përfundoi ajo.