PS-PD konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Spiropali: Lehtësojnë pjesëmarrjen e votuesve nga diaspora në zgjedhjet e 11 majit

Shqipëria

PS-PD konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Spiropali: Lehtësojnë pjesëmarrjen e votuesve nga diaspora në zgjedhjet e 11 majit

Më: 17 shkurt 2025 Në ora: 19:40
Elisa Spiropali

PS dhe PD kanë bashkuar votat dhe kanë miratuar ndryshimet e reja në Kodin e Ri Zgjedhor, që lehtësojnë votën e diasporës.

Në lidhje me këtë zhvillim, ka reaguar edhe kryetarja e parlamentit, Elisa Spiropali. Ajo shprehet se me anë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, lehtësohet pjesëmarrja e votuesve nga diaspora në zgjedhjet e 11 majit.

Elisa Spiropali: Miratuam me konsensus në seancë plenare, ndryshime të rëndësishme në Kodin Zgjedhor, që lehtësojnë pjesëmarrjen e votuesve nga diaspora në zgjedhjet e 11 majit, si dhe forcojnë transparencën e besimin publik në administrimin e procesit zgjedhor, duke i garantuar të drejtën e votës çdo qytetari shqiptar, kudo ku ndodhet.

Çfarë ndryshimesh parashikohen?

Ndryshimet e miratuara parashikojnë eliminimin e pagesave nga qytetarët dhe sigurojnë mbulimin e plotë të shpenzimeve për dërgesat postare të votave nga jashtë vendit.

Një tjetër ndryshim ligjor ka të bëjë me numërimin e votave që do të kthehen nga posta, i cili do të realizohet nga një komision dypartiak i balancuar.

Për më tepër, është arritur një marrëveshje për shkurtimin e afateve për regjistrimin e partive politike dhe kandidatëve në zgjedhje, me qëllim që të fitohet kohë për prodhimin e fletëve të votimit, të cilat do të dërgohen me postë jashtë vendit dhe të kthehen në kohë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat