“Bufi i kënetës”, figura e shpendit që ka zgjedhur kryeministri Edi Rama t’i drejtohet kundërshtarit të tij politik, për kreun demokrat nuk përbën shqetësim, madje ai thotë se nuk e njeh çfarë shpendi është dhe çfarë mesazhi përcjell.
Në fjalën e mbajtur në foltoren e kuvendit, Berisha thotë se foto me mesazhin i ka ardhur në telefon nga një fans i cili rekomandon që për mesazhin e fotos të pyesë socialistët.
“Ju keni parë se Edi Rama është lëshuar në gjuhë shtazësh, shpendësh, kafshësh, por unë gojën time nuk e çoj atje. Një fans më dërgoi një mesazh dhe një fotografi. Më thotë, doktor thuaju socialistëve të lexojnë pak për një shpend, shqep këpucë, se atëherë do të kuptojnë se ç’po bën Edi Rama me ta.
Unë nuk e di se çfarë është ky shpend, nuk e di se çfarë ka, por ju hyni në google dhe shikoni pak se çfarë është”, tha Berisha.
Më tej ai vijoi me akuzat ndaj qeverisë e cila sipas Berishës, nga fondi i pagave ka përdorur 50 % për rritjen e pagave të ministrave e gjyqtarëve, ndërsa vetëm 50% e fondit u përdor për 200 mijë punonjës.
“Pra problemi i tyre nuk janë qytetarët, pensioni 160 euro, nuk është nafta më e shtrenjtë në Europë, energjia elektrike më e shtrenjtë në rajon, problemi i tyre nuk janë rrogat më të ulëta në rajon.
Të dashur rrogëtarë të shtetit shqiptar, sot do të ju jap një informacion shumë të vyer. Fondi që u përdor për rritjen e pagave, ju duhet ta dini se 50% e tij, u përdor për të rritur pagat e ministrave, deputetëve, gjykatësve dhe prokurorëve. Dhe 50% e tij mbeti për të rritur pagat e 200 mijë punonjësve.
Kjo është e vërteta, rritja e pagave”, tha Berisha.
Më tej, Berisha tha se pas fitores së PD në 11 maj, do të bëhet një audit i plotë për vjedhjen e 64 miliardë eurove.
Berisha tha se do t’i kërkohet llogari Ramës mbi udhëtimin e tij në Mynih, suksesin e madh që pati, që u bë personazhi kryesor aty, si njeriu që arreston lider të opozitës, që mbyll tik tokun, që arreston gazetarët, si njeriu që vendos censurë, e patë vetë ju.
Duke iu drejtuar deputetit socialist Taulant Balla, Berisha përmendi dhe McGonigal, “ai që vinte dhe përgëzonte prokurorin se arrestove Sali Berishën, që vinte e mashtronte shqiptarët se Edi Rama është lider i jashtëzakonshëm se kishte korruptuar McGonigalin, ai tani do të shkojë para drejtësisë amerikane. Ai është një ‘non grata’ nuk futet dot në asnjë ndërtesë qeveritare, ai miku juaj, ai miku që korruptuat ju për të sanksionuar Sali Berishën”, tha Berisha teksa shtoi se si Blinken dhe McGonigal, edhe Rama do të ketë fatin e tyre.