Universiteti i Tiranës dhe Universiteti “Konya Necmettin Erbakan” në Turqi, nënshkruan sot një marrëveshje për partneritet dhe bashkëpunim.
Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe rektori i Universitetit Konya Necmettin Erbakan, Prof. Dr. Cem Zorlu.
Në një postim në rrjetet sociale, UT theksoi se “kjo marrëveshje synon të forcojë bashkëpunimin akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve, duke përfshirë kërkimet e përbashkëta shkencore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe zhvillimin e programeve arsimore”.
Ky bashkëpunim mund të shtrihet në fusha të ndryshme akademike, me fokus në: shkëmbimin e studiuesve dhe shkencëtarëve për projekte kërkimore të përbashkëta; shkëmbimin e profesorëve për leksione dhe vizita akademike; pjesëmarrjen në konferenca, simpoziume dhe projekte shkencore; shkëmbimin e informacionit, materialeve akademike dhe publikimeve; lehtësimin e lëvizshmërisë së studentëve për shkëmbime dhe vizita studimore; krijimin e programeve të përbashkëta të diplomës.
Në nënshkrimin e marrëveshjes ishin të pranishëm edhe zv/rektorja e UT, Prof. Dr. Anila Paparisto, drejtoresha e Kërkimit Shkencor, Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, si dhe Koordinatori i Marrëdhënieve me Jashtë, Prof. Dr. Firat Yaldiznga nga Universiteti Konya Necmettin Erbakan, së bashku me përfaqësues nga Ambasada Turke në Shqipëri, Dr. Metin Bulet.
Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve akademike dhe rritjes së mundësive për studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Tiranës.