Norma maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore është ulur ndjeshëm këtë muaj, në vijim të ndryshimeve rregullatore të miratuara nga Banka e Shqipërisë.
Për kreditë konsumatore me vlerën deri në 200 mijë, institucionet financiare nuk mund të aplikojnë normë efektive interesi më të lartë se 70.9%, nga 95.19% që kishte qenë norma e fundit e miratuar.
Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.
Sipas ndryshimeve të miratuara këtë muaj nga Banka e Shqipërisë në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, norma maksimale e interesit për kreditë konsumatore me këste deri në vlerën e 200 mijë lekëve do të jetë sa mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit për kredinë e dhënë në 6-mujorin paraardhës, pa u shtuar me një të tretën, siç parashikohej më parë.
Pjesë e ndryshimeve në rregullore është edhe shtimi i detyrimit për kryerjen e pagesës nga ana e konsumatorit të komisioneve të aplikuara nga subjektet në momentin e dhënies së kredisë konsumatore, duke mos lejuar shpërndarjen e këtyre kostove përgjatë jetëgjatësisë së kredisë.
Megjithatë, ky ndryshim do të hyjë në fuqi duke filluar nga muaji maj i këtij viti, për t’u dhënë kohë institucioneve financiare të përshtatin sistemet e tyre.
Për kreditë e institucioneve financiare jobanka është tipike aplikimi i komisioneve shumë të larta të administrimit apo disbursimit të kredisë.
Gjithmonë për shumat deri në 200 mijë lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) është ulur lehtë në 18.54%, nga 18.71% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë.
Ndërkohë, për kreditë në vlerë më të lartë se 200 mijë lekë mënyra e llogaritjes do të vazhdojë të jetë e njëjtë, duke i shtuar mesatares së 6-mujorit të kaluar një të tretën, për të përcaktuar vlerën e NEI-t maksimal.
NEI maksimal për kreditë nga 200 mijë lekë deri në 600 mijë lekë ka pësuar gjithashtu një ulje të ndjeshme në 36.55%, nga 37.43% që kishte në gjashtëmujorin e parë.
Për overdraftet në intervalin 200-600 mijë lekë, NEI maksimal është ulur në 18.5%, nga 18.77% që kishte qenë në gjashtëmujorin paraardhës.
Ndërkohë, për kreditë me vlerë nga 600 001 deri në 2 000 000 lekë NEI maksimal është rritur ndjeshëm në 14.67%, nga 12.41% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri nisi në fillim të vitit të vitit 2022.
Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.
Që prej aplikimit për herë të parë, NEI maksimal ka pësuar një rënie të ndjeshme.
NEI i parë maksimal për kreditë e vogla deri në 200 mijë lekë, që u vendos në fillim të vitit 2022, ishte në nivelin 171.41%, ndërsa sipas publikimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë ky tregues ka zbritur tashmë në 70.9%.