Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë komunikimit me ndjekësit në rrjetet sociale tha se SPAK është institucion i pavarur dhe nuk kontrollohet më nga politika.
Ai theksoi se kjo gjë, nuk do të thotë që nuk do artikulohen kritika kur shfaqen veprime, që cenojnë standardet demokratike.
“Ka plot gjëra që nuk shkojë edhe me SPAK, se nuk ka rënë nga qielli, është një institucion i ri, me shumë probleme, por ka krijuar vetëbesimin e pavarësisë. Askush nuk mund të thotë se SPAK është i kontrolluar nga unë, por ai është një institucion i pavarur. Ne nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të njëanshëm, jo profesionale dhe në shkelje të standardeve demokratike. Kemi hyrë në një fazë tjetër, na duhet që të kemi një pozicion kritik për të gjithë gjërat nuk shkojnë. Ne nuk mund të pranojmë, që në emër të pavarësisë paraburgimi të bëhet një normë për të kapur dhe për të kyçur brenda pa gjyq, këdo qoftë kur kushte e domosdoshme që duhen plotësuar për paraburgosje janë shumë të qarta. Këto janë çështje të një diskutimi dhe debati demokratik. Ne duhet të vëmë emrin e Shqipërisë “Albania” në tryezën e familjes europiane, prandaj jam këtu, prandaj jam këtu, prandaj dua mandatin e katërt”, tha ai.
Më tej, Kryeministri Rama u shpreh se misioni madhor i tij në politikë është integrimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Është vetëm një fotografi me të cilën zgjohem dhe fle, fotografia që dua ta bëj dhe ta postoj këtu në facebook duke u thënë: misioni u përmbush, përqafime të gjithëve Edi Rama. Fotografia ku do jetë e shkruar “Albania” në tryezën e Këshillit Evropian, aty ku do ulemi për të mos u ngritur më, aty ku do jemi të barabartë mes të barabartë. Aty ku bijtë e shqipes do jenë përfundimisht do jenë të paparagjykueshëm nga askush edhe askush nuk do mund t’i shoh nga lart poshtë”, tha ai.