Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë, në rubrikën “Sy m’sy”, se Alex Soros dhe i ati, George Soros, kanë qenë dhe do të mbeten miqtë e tij, ashtu siç ka edhe miq të tjerë që nuk janë miq me ta.
Në përgjigje të një qytetari që e pyeti për fotografinë me Alex Soros, Rama tha se nuk bën spekulime dhe abuzime me miqtë e tij.
“Unë Alex Soros-in e kam pasur mik. Të atin e kam mik dhe i kam pasur dhe do t’i kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi që kemi shumë të qartë bashkë. Përralla dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që as nuk kanë lidhje fare mua nuk më impresionojnë,” tha ai.
Kryeministri theksoi se ka miq të ndryshëm, përfshirë ata që mund të jenë kundërshtarë me njëri-tjetrin.
“Siç kam miq Alex-in, të atin, kam edhe miq të tjerë që nuk janë miq me ta, por unë nuk bëj spekulime dhe abuzime me miqtë. Mos u bëni qesharakë. Lërini historitë mes amerikanësh t’i zgjidhin amerikanët me njëri-tjetrin. Mos gënjeni veten se këtu jemi ne kërthiza e botës,” u shpreh Rama.
Duke vijuar më tej, ai u shpreh se nuk ka asnjë shqetësim për miqësitë e tij dhe se marrëdhëniet e tij janë transparente.
“Kështu që mos ma qaj hallin mua fare për miqtë e mi. Unë kam shumë miq, të cilët mes tyre janë kundërshtarë apo armiq. Merr dhe shih të gjithë koleksionin e fotografive dhe të takimeve të mia dhe do shohësh që kjo është mëse e vërtetë.”
Në përfundim, Rama hodhi poshtë spekulimet, duke ironizuar “historitë me kukulla dhe mjeshtra kukullash”.
“Këto histori ‘mos i hani’, ose po të doni t’i hani, hajini, por nuk ju çojnë askund,” theksoi ai.