Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, morën pjesë në prezantimin e Dokumentit të Politikave të Arsimit të Lartë 2030, i cili synon përafrimin e standardeve të arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu theksoi se falë reformës në arsimin e lartë, sot të gjitha universitetet, si publike ashtu edhe private, janë të akredituara.
“Ky dokument është rezultat i një analize të thelluar mbi sfidat dhe arritjet e dekadës së fundit. Reforma e nisur në vitin 2014 ka garantuar cilësi, transparencë dhe autonomi universitare. Atë vit, 18 universitete që prodhonin diploma fiktive u mbyllën, duke hapur rrugën për një sistem më të standardizuar dhe të besueshëm,” u shpreh Manastirliu.
Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e procesit të pranimeve transparente përmes platformës e-Albania, duke e cilësuar si një tjetër hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit arsimor.