Nisur nga operacioni i forcave RENEA me urdhër të SPAK në Shkodër, janë zbardhur detaje të reja lidhur me ngjarjen e ndodhur më 23 gusht 2024 në Rranxë të Bushatit, ku u godit me armë automjeti i blinduar “Audi A8”.
Dyshohet se në këtë automjet udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica, të cilët janë shpallur në kërkim nga SPAK dhe mbajnë masë sigurie të caktuar nga Gjykata e Posaçme.
Operacioni i fundit ka çuar në komunikimin e masës së sigurimit për këtë ngjarje të rëndë, në burgun e Reçit, ku ndodhen të dyshuarit pas vetëdorëzimit për përplasjen dhe kanosjen me armë ndaj një anëtari të familjes Bruçi.
Për sa i përket ngjarjes së Dobraçit, ku 4 persona humbën jetën, Gjykata e Posaçme ka lënë në burg të arrestuarin e vetëm deri tani, Gjulio Vuksanin, i cili akuzohet për vjedhje si pjesë e një grupi kriminal. Vuksani dyshohet të ketë siguruar “Range Roverin” që u përdor nga autorët e ekzekutimit të Arlind Bushatit dhe Hamza Licit, si dhe të dy bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha.
Më herët, për ngjarjen e përplasjes me armë në Bushat, për të cilën janë firmosur masa sigurie, janë shpallur në kërkim vëllezërit Andrea dhe Aleksandër Prendi, si dhe shtetasi Pjetër Dragoti. Në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe biznese në Shkodër, me qëllim kapjen e personave të tjerë në kërkim.
Ngjarja e Dobraçit dhe e Bushatit u hetuan fillimisht nga Prokurori e Shkodrës e cila pas disa javësh shpalli moskompetencën dhe çështja i kaloi SPAK, ku po hetohen si pjesë e një procedimi të vetëm.