Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, kryetarja e këtij komisioni, Ina Zhupa shpalli 11 vakancat për anëtarët dhe kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH.
Zëvendëskryetarja e komisionit, Evis Kushi, propozoi 10 ditë afat për kandidatët e rinj që do të dorëzojnë kandidaturat, në mënyrë që RTSH të mos mbetet pa këshill drejtues për një afat të gjatë, në mënyrë që të funksionojë siç duhet dhe të mund të zgjedhë drejtorin e ri të përgjithshëm.
Kushi propozoi që mandati i Këshillit të ri Drejtues të RTSH të mos jetë mandat plotësues, por të jetë një mandat i plotë 5-vjeçar.
Ina Zhupa i vlerësoi të logjikshme kërkesat e Evis Kushit dhe shtoi se anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të RTSH të mos e shohin veten si imunë, për faktin se do të marrin një mandat të plotë, por të shohin rastin e paraardhësve për të qenë të përgjegjshëm duke respektuar ligjin dhe interesin publik.
Komisioni votoi unanimisht pro afatit 10-ditor të paraqitjes së kandidaturave për KDRTSH, ndërsa me shumicë votash u votua edhe për mandatin e plotë të këshillit të ri.
Shpallja e vakancave u mor pas shkarkimit të anëtarëve të mëparshëm, gjithashtu edhe të kryetarit të Këshillit Drejtues të RTSH, të cilët në bazë të një raporti të paraqitur në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, janë gjetur me shkelje të rënda dhe të përsëritura.