Berisha flet sërish për shkrirjen e SPAK: Arrestoi liderët e opozitës që Rama të marrë mandatin

Shqipëria

Berisha flet sërish për shkrirjen e SPAK: Arrestoi liderët e opozitës që Rama të marrë mandatin

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 13:13
Sali Berisha

Sali Berisha ka sulmuar sërish SPAK, duke e cilësuar atë si një institucion të politizuar që po ndihmon Edi Ramën për të eliminuar opozitën.

Në një deklaratë nga selia e Partisë Demokratike, Berisha akuzoi qeverinë se po përdor drejtësinë për të arrestuar liderët e opozitës dhe për të rrëmbyer mandatet politike të dhëna nga qytetarët.

Arreston tre liderë politikë të tre partive kryesore opozitare, një Prokurori që rrëmben mandatet e opozitës dhe amniston krimin elektoral. Kjo Prokurori është fund e krye politike,” u shpreh Berisha.

Ai iu referua edhe deklaratave të zv/presidentit të SHBA, JD Vance, duke thënë se ato pasqyrojnë realitetin politik në Shqipëri. Sipas Berishës, Vance paralajmëroi se një qeveri nuk mund të fitojë një mandat demokratik duke censuruar dhe burgosur kundërshtarët politikë.

Në vijim të deklaratës, ish-kryeministri komentoi edhe një foto të publikuar së fundmi nga Alex Soros me kryeministrin Rama, duke e lidhur atë me financime të dyshimta. “Në krye të piramidës së hajnisë ndërkombëtare është Edi Rama, bashkëshortja dhe ish-bashkëshortja e tij,” tha ai, duke pretenduar se kanë përfituar shuma të mëdha nga USAID dhe organizatat ndërkombëtare.

“Arreston tre liderë politikë të tre partive kryesore opozitare, një Prokurori që i rrëmben mandate opozitës, të dhëna nga zgjedhësit, një Prokurori që amniston krimin elektoral, një Prokurori që arreston gazetarë, është fund e krye një Prokurori politike, pavarësisht aktiviteteve të tjera. Arreston liderë të opozitës që Edi Rama të marrë mandatin. Këtë e tha Vance në Mynih se ju nuk mund të fitoni një mandat demokratik, mund të rrëmbesh, duke censuruar oponentët tuaj apo duke i burgosur ata, qoftë ai edhe lideri i opozitës. Unë ju ftoj ju, ftoj shqiptarë, a i përshtaten njeriu më shumë këto fjalë profetike të zv/presidentit të SHBA në Mynih se sa Edi Ramës? Besoj e keni të qartë se pikërisht në këto qëndrime është edhe ajo fotoja e munguar. Për atë foton e munguar u mobilizuan aviona dhe miliona, por ajo fatmirësisht nuk shkrepi. Dhe jo vetëm nuk shkrepi ajo foto, por u nxor nga arkiva një foto tjetër të cilën e ripostoi një nga dy kryestrategët botërorë të fushatave elektorale, Chris LaCivita, me fjalët poshtë kukulla dhe padroni, Edi dhe Alexi. Por çfarë tha padroni, po e ripublikoj me kërkesa të shumta. D.m.th po ua plotësoj, m.q.s i fshiu nga mediat sociale Edi Rama, po ua sjell unë shikuesve. Pavarësisht se jemi kundërshtarë, por këtë e bëri. Ajo foto kishte edhe një shkak tjetër. Në qindra e miliarda të vjedhura të taksapaguesve amerikanë, të Soros dhe USAID, në krye të piramidës së hajnisë ndërkombëtare është Edi Rama më bashkëshorten dhe ish-bashkëshorten. Këto nuk i fsheh dot ai se janë dokumente ndërkombëtare që faktojnë se Linda dhe Delina kanë përfituar shuma përrallore nga USAID dhe organizatat ndërkombëtare ku SHBA janë financuesit kryesorë Shqipëria nuk do të ketë një Prokurori politike. Vërejtjet e mia për SKAP-in e partisë kanë të bëjnë për një prokurori që nuk bën politikë dhe nuk shndërrohet në satër për rotacionin, që nuk bën drejtësi të dirigjuar që nuk fsheh dosjet dhe nuk fle mbi krimin”, tha Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat