Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka postuar një video në rrjetet e saj sociale duke ngritur shqetësimin mbi situatën ekonomike në vend. Ajo ka akuzuar qeverinë se po drejton një ekonomi të komanduar që favorizon oligarkët dhe monopolistët, duke lënë jashtë loje sipërmarrësit e ndershëm dhe konkurrencën e lirë.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se bizneset shqiptare po përballen me barrën e rëndë të taksave dhe burokracisë, ndërsa shteti ka krijuar një sistem të privilegjuar për një grusht njerëzish. “ Sot ekonomia është përqendruar në pak duar dhe shteti drejton praktikisht një ekonomi të komanduar. Nuk ka më ekonomi tregu, ” u shpreh ajo.
Deputetja demokrate prezantoi edhe disa nga pikat kyçe të programit ekonomik të Partisë Demokratike, duke nënvizuar nevojën për një kod fiskal të qartë dhe të qëndrueshëm, i cili do të ulë informalitetin dhe do të krijojë një sistem taksash të thjeshta dhe të barabarta për të gjithë.
“ Ne propozojmë një taksë të sheshtë dhe një sistem të drejtë fiskal që nuk favorizon askënd në mënyrë të padrejtë. Përjashtimet fiskale janë kthyer në rregull dhe kanë krijuar monopole që vrasin konkurrencën. Duhet një sistem i ndershëm ku bizneset të kenë mundësi të barabarta për të konkurruar, ” shtoi Tabaku.
Ajo gjithashtu kërkoi një reformë derregulluese për të eliminuar burokracinë e tepërt që rëndon mbi bizneset shqiptare, duke theksuar se këto ndryshime janë jetike për zhvillimin ekonomik të vendit. “ Ekonomia shqiptare nuk duhet të jetë ekonomi e pakicës apo e privilegjeve, por një ekonomi që punon për të gjithë, ” përfundoi ajo.
Programi ekonomik i Partisë Demokratike parashikon masa konkrete për të rikthyer konkurrencën e ndershme dhe për të nxitur zhvillimin e sipërmarrjeve vendase, duke vendosur një fokus të veçantë në stimulimin e produkteve “Made in Albania” dhe krijimin e një mjedisi miqësor për investitorët vendas dhe të huaj.