Ish-anëtari i Kryesisë së PD deklaron se do të kandidojë me “Euroatlantikët” e Bashës

Shqipëria

Ish-anëtari i Kryesisë së PD deklaron se do të kandidojë me “Euroatlantikët” e Bashës

Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 18:57
Gazment Koduzi

Ish-anëtari i Kryesisë së PD, Gazment Koduzi, do të ishte në listën e Lulzim Bashës për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 11 Majit.

Pedagogu dhe mjeku, Koduzi, përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se do të kandidojë në Tiranë. Ai thotë se Shqipëria ndodhet në një moment kritik, e kërcënuar nga emigrimi masiv. Koduzi ka mbajtur më herët postin e anëtarit të kryesisë së PD-së gjatë kohës kur kryetar ishte Lulzim Basha.

Reagimi i plotë i Koduzit:

Unë jam Gazment Koduzi, lindur në Lushnje, mjek me profesion, dhe prej disa vitesh Profesor në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Jam i martuar dhe Zoti më ka falur dy fëmijë. I lumtur që kam besuar gjithnjë se familja është nevoja jonë, nevoja e çdo kombi për të ndërtuar të ardhmen.

Duke besuar se angazhimi publik është përgjigja ndaj zgjidhjes së sfidave të shoqërisë dhe i bindur se vetëm shteti i së drejtës mund të hapë rrugën për një zhvillim të fortë e të qëndrueshëm, kam vendosur të kandidoj për deputet me Koalicionin Euroatlantik në Qarkun e Tiranës.

Fushatat përgjithësisht kanë nevojë për programe ekonomike, për dallim në konceptimin e taksës.

Ndërsa unë si ish student i dhjetorit ’90, si një mjek në profesion, si një pedagog, besoj se ajo që na duhet para së gjithave është të ndërtojmë një politikë që të rikthejmë dashurinë për këtë vend, të rikthejmë atë politikë që do ndihmojë të rinjtë të besojnë se e ardhmja mund të ndërtohet këtu, dhe me dashuri për njeri tjetrin.

Ne duhet të bëjmë shqiptarët të besojnë se ky vend nuk do duhet lënë në duart e atyre që me politikat e tyre të derisotme kanë shpopulluar këtë vend të begatë, që Zoti i ka dhënë gjithçka për të ecur, për të përparuar me dinjitet.

Unë besoj se një politikë që jep llogari dhe që mban përgjegjësi për veprimet e veta, mund t’i bëjë shqiptarët të besojnë se e ardhmja është në duart tona.

Unë besoj në një shoqëri me dinjitet!

Unë besoj në një shoqëri që kujdeset për çdo moshë!

Unë besoj se në duhet të bashkojmë “Dinjitetin dhe Shëndetin” në rrugëtimin tonë!

Shqipëria meriton më shumë!

Ndaj lejomëni që ta mbyllja këtë postim me thënien :

Gjatë momenteve tona më të errëta, ne duhet të fokusohemi të shikojmë dritën.

Dhe drita është ndezur për shqiptarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat