Lokalizohet dhe arrestohet në Tepelenë, një 27-vjeçar i shpallur në kërkim dje nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Blic 34”.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të inteligjencës policore, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim dje, për llogari të DVP Tiranë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Gjirokastër dhe me Komisariatin e Policisë Tepelenë, ndaloi në Tepelenë, shtetasin G. G., 27 vjeç.
27-vjeçari është me masë sigurie “Arrest në burg”, nga Gjykata e Tiranës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se ka shitur lëndë narkotike Kokainë, Heroinë, Ekstazi dhe Cannabis Sativa, në zona të ndryshme të qarkut Tiranë.
Veprimet e mëtejshme procedurale për shtetasin G. G., do të kryhen nga DVP Tiranë.