Zv/presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka ngritur disa akuza ditën e sotme, duke u shprehur se Partia Socialiste ka organizuar një grup për manipulimin e votës së emigrantëve.
Në një postim në rrjetet sociale , Xhixho shkruan se shoqata “Skëndërbeu” në Parma të Italisë ka marrë qytetarët në telefon ku pasi i ka ndihmuar me regjistrimin në KQZ u kanë kërkuar të jenë prezent në një takim me Taulant Ballën.
Ajo shtoi se të dhënat të cilat supozohen t’i ketë vetëm Komisoni Qëndror i Zgjedhjeve, janë vënë në shërbim të patronazhistëve të PS dhe sipas saj ky është një krim zgjedhor.
Reagimi i plotë:
Foletë e patronazhistëve në diasporë do ndëshkohen masivisht në 11 maj
Sinjalizimet nga diaspora flasin për një punë të organizuar për manipulimin e votës së emigrantëve. Sistemi i patronazhimit është zgjeruar edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Shoqata “Skënderbeu” në Parma të Italisë ka guxuar të marrë qytetarët në telefon dhe t’u thotë “hajdeni t’u regjistrojmë” dhe pasi i ndihmojnë të regjistrohen, u thonë “do votojmë të gjithë këtu te shoqata që të nisim bashkë postën”.
Një qytetare në Dyseldorf të Gjermanisë, pasi është regjistruar dhe ka marrë miratimin nga KQZ, është telefonuar nga një numër shqiptar dhe i është kërkuar të jetë në një takim të Taulant Ballës.
Nga dalin të dhënat, të cilat supozohet t’i ketë vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve? Si janë vënë në shërbim të patronazhistëve të PS?
Përpjekje të tilla, tërësisht në shkelje të ligjit, janë tregues i frikës së qeverisë “Rama” nga vota popullore, nga vota e atyre që u larguan nga ky vend sepse nuk panë asnjë shpresë për të ardhmen.
Forma të tilla të manipulimit dhe vjedhjes së votës janë tipike për Rilindjen. Përdorimi i të gjithë makinerisë shtetërore për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, duke e ditur se shumica e ka braktisur, është prova më e qartë e dëshpërimit të kësaj qeverie.
Ne po përgatisim dosjen dhe autorët e këtij skandali do të mbajnë përgjegjësi direkte për krimin zgjedhor që po përgatisin.