Gramshi festoi në prag të kësaj mesjave 65-vjetorin e themelimit të këtij qyteti, bashkëmoshatar me uzinën e famshme të prodhimit të armëve luftarake të Çekinit në periferi të tij. Ky jubile është një moment i rëndësishëm për të gjithë banorët dhe historinë e këtij qyteti me një të kaluar të pasur në çdo aspekt.
Gramshi u themelua si qytet më 18 Shkurt 1960 dhe ka kaluar shumë periudha të ndryshme zhvillimi dhe sfidash, por gjithmonë ka ruajtur një karakter unik , të pasur me histori dhe kulturë.
Kjo ngjarje e rëndësishme në jetën e këtij qyteti u shënua me aktivitete të shumta, duke përfshirë zbulimin e një instalacioni me fyej në hyrje të qytetit, vepër e skulptorit Emanuel Koko.
Ky instalacion u realizua për të nderuar “Fyejt e Gramshit”, instrumentit muzikor të shpallur “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, që janë ndër instrumentet më tërheqës e më të lashtë në fondin e artë të trashëgimisë muzikore të Gramshit dhe Shqipërisë si dhe një ndër dokumentet më të rëndësishëm të muzikës instrumentale polifonike shqiptare. Më pas festimet vazhduan në ambientet e ish-uzinës ushtarake të Çekinit, një ambient i të cilës është transformuar në një muze digjital ku morë pjesë me qindra qytetarë dhe personalitete të shquara të Gramshit.
Ky muze ruan kujtimin e rëndësisë historike të kësaj uzine, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e qytetit, duke kontribuar në krijimin e Gramshit si një qendër industriale. Një pjesë e madhe e historisë së këtij qyteti është e lidhur me uzinën mekanike të prodhimit të armëve të Çekinit dhe punonjësit e saj që kanë lënë pas një trashëgimi të çmuar.
Kryebashkiaku Ajazi theksoi se bashkia e Gramshit tashmë ka objektiva të rinj ambiciozë zhvillimi duke e fokusuar zhvillimin më së shumti në turizmin malor pasi kjo zonë ka destinacione fantastike si shpella e Kabashit,liqenin e Dushkut, kalanë e Tervolit, liqenin e Banjës,Grabovën , kanionet e Holtës
ujëvarën e Sotirës , kalanë e Tunjës etj. Të gjitha këto atraksione mund të shfrytëzohen për zhvillimin e turizmit i cili sjell fuqizimin ekonomik sidomos të familjeve në zonat rurale.
Në këtë 65-vjetor, kryebashkiaku, Besion Ajazi i shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kanë kontribuar për ndërtimin dhe zhvillimin e qytetit të Gramshit, ndërsa me vendim të Këshillit Bashkiak ju dorëzua titulli “Qytetar Nderi” i Gramshit ,11 personaliteteve të fushave të ndryshme që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e jetës së këtij qyteti.
Festimet u përmbyllën me një koncert madhështor në qendër të qytetit ku performuan artistë nga më të njohurit të cilët krijuan një atmosferë plot energji pozitive për të pranishmit të cilët e shohin plot optimizëm të ardhmen sepse tashmë Gramshi synon përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e mundësive të reja, sidomos në fushën e turizmit, duke krijuar mundësi të shumta punësimi që garantojnë rritjen cilësisë së jetesës për të gjithë banorët e tij.