PD: Shëndeti ynë nuk mund të jepet me koncesion! Dhjetëra tonelata mbetje të rrezikshme spitalore në QSUT

Shqipëria

PD: Shëndeti ynë nuk mund të jepet me koncesion! Dhjetëra tonelata mbetje të rrezikshme spitalore në QSUT

Më: 19 shkurt 2025 Në ora: 14:40
Ilir Alimehmeti

Drejtues i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti, në një deklaratë për shtyp ka deklaruar se është e papranueshme që dhjetëra tonelata mbetjesh të rrezikshme spitalore grumbullohen në ambientet e QSUT-së dhe nuk përpunohen dhe as nuk eliminohen prej të paktën dy muajve e gjysmë.

Ai shtoi se gjysëm euro para publike janë paguar në vitin 2017 nga Banka Botërore dhe shteti shqiptar për pajisjen e autoklavës, por se po vijohet me të njejtin skenar si sterilizimi.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë!

Skandali i mbetjeve spitalore në QSUT, i denoncuar dje nga gazetarët e guximshëm të emisionit STOP, është i papranueshëm dhe alarm madhor për jetën dhe shëndetin.

Është e papranueshme që dhjetëra tonelata mbetjesh të rrezikshme spitalore grumbullohen në ambientet e QSUT-së dhe nuk përpunohen dhe as nuk eliminohen prej të paktën dy muajve e gjysëm.

Është e papranueshme që këto mbetje të rrezikshme spitalore të mbeten aty si rrezik madhor infeksioni dhe intoksikimi për mijëra pacientë, mijëra studentë dhe gjimnazistë, mijëra profesionistë të shëndetit dhe dhjetëra mijëra kalimtarë e banorë të zonës përreth QSUT-së.

Është e papranueshme që jo vetëm nuk eliminohen në kohë, por që në mënyrën më tallëse dhe abuzuese me shëndetin, mbetjet spitalore të shkojnë e të depozitohen brenda Spitalit të Onkologjisë dhe të Spitalit të Neurologjisë në QSUT!

Spitalet i kemi për t’u shëruar miqtë e mi, jo për t’u sëmurë!

Kush është arsyeja e kësaj katastrofe shëndetësore dhe mjedisore?

Zyrtarisht pranohet nga administrata se ka përfunduar kontrata me firmën që menaxhonte këtë shërbim.

Por kujdes miq! Një milion e gjysëm euro para publike janë paguar në vitin 2017 nga Banka Botërore dhe shteti shqiptar për pajisjen e autoklavës.

Por, për motive banale përfitimesh të kombinuara me burokracinë e krijuar nga ky shtet dhe kjo administratë, edhe pse pajisjet janë blerë me para publike, nevojitej medoemos, sipas autoriteteve, që të kontraktohej një firmë private.

Nuk i kishte mundësitë pra shteti shqiptar të punësonte një numër të vogël personeli që ta zgjidhte problemin që në rrënjë!

Por jo, ndiqet këtu po i njëjti skenar që kemi parë me koncesionin e sterilizimit apo koncesionin e inceneratorëve dhe në fund shërbimi përsëri mungon… në kurriz të jetës dhe shëndetit tonë.

Kjo duhet të marrë fund menjëherë miqtë e mi!

I bëj thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mjedisit të ndërhyjnë menjëherë!

I bëj thirrje të mos fshihen pas gishtit dhe burokracive që kanë krijuar vetë!

I bëj thirrje të bëjnë detyrën e tyre dhe jo të rendin pas parave dhe kontratave private!

Shëndeti ynë nuk mund të jepet me koncesion!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat