Kryeministri i Shqipwrisë, Edi Rama deklaroi sot se bonusi i pensionistëve do të nisë të shpërndahet nga 1 marsi dhe se vendimi është miratuar nga qeveria që nga data 9 janar.
“Jo vetëm që unë nuk gënjej, por flas me përgjegjësi të plotë për çka ka të bëjë me detyrën që më ka dhënë populli, e meqë vizion kanë akuzën, program kanë shpifjen dhe forcë udhëheqëse kanë gënjeshtrën, kudo, kurdoherë e për çdo gjë, e përhapën edhe lajmin që s’ka bonus për pensionistët”, deklaroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kryeministri reagoi mbi lajmet për bonusin të ditëve të fundit, teksa i cilësoi këto qëndrime “lojë me nervat e pensionistëve”.
“Ta gëzojnë pensionistët dhe Zoti paftë e bëftë për ata që luajnë edhe me nervat e tyre”, theksoi ai më tej, shkruan ATSH.
Këshilli i Ministrave miratoi më 9 janar bonusin e pranverës për 730 430 pensionistë.
Nga këta, 520 443 pensionistë të cilët marrin më pak se 20 000 lekë në muaj do të përfitojnë bonus 10 000 lekë, ndërkohë që bonusin prej 5 000 lekësh do ta përfitojnë 209 987 pensionistë që përfitojnë një pension pleqërie më të lartë se 20 mijë lekë në muaj.
Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi llogariten afërsisht 6,3 miliardë lekë.