Gerta Meta, eksperte zgjedhore, në një intervistë në studion e News 24 foli për votën e diasporës. Meta u shpreh se është rënë dakord, që vota e diasporës të numërohet nga komisionerët.
“Ne duam që zgjedhjet të jenë jo problematike në tërësi. Para zgjedhjeve, asnjëherë situata nuk ka qenë tërësisht e qetë. Është rënë dakord që vota e diasporës të numërohet nga komisionerët. Vota e diasporës është një risi e nuk dimë se për cilën parti do shkojnë votat e shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Ka një fluks të madh të shqiptarëve jashtë për të votuar. Vota e diasporës do të numërohet në 12 qarqe. Do monitorojmë votën e diasporës. U premtua që fleta e votimit do të paguhet nga qeveria shqiptare, për shqiptarët që janë jashtë. Kush nuk mund të regjistrohet, mund të ankohet në gjykatë”, tha Gerta Meta.
Ekspertja shtoi se SPAK do të jetë vigjilent për të hetuar krimet në zgjedhje.
“Altin Dumani, kreu i SPAK ka thënë se do ketë strategji për të hetuar dhe dënuar krimet zgjedhore. SPAK do jetë vigjilent për krimet zgjedhore. Duhet një lloj informimi për çdo kallëzim dhe për çfarë do lloj hetimi. Duhet të mos lejojmë të zhvillohet shit-blerja e votës. Fushata të jetë me premtime të matshme dhe dialoguese. Mos përdoren burimet shtetërore në zgjedhje. Shqipëria duhet të mbajë zgjedhje brenda standardeve. Palët politike janë të ndarë për votimin elektronik. Shqipëria duhet ta marrë si model Kosovën për procesin e rregullt zgjedhor”, deklaroi ajo.