Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi në një intervistë për një media u shpreh se Partia Socialiste po pret procesin gjyqësor në lidhje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe më pas do të vendosin për zgjedhje në Tiranë.
Klosi u shpreh se “këtu është dhe debati që PS-ja ka me drejtësinë”.
“Ka ngjarje që kryetari i një bashkie shumë të madhe dhe i zgjedhur me kaq shumë vota dhe me kaq shumë përgjegjësi, me kaq shumë punë për të ndjekur të përditshme në Tiranë, duhet arrestuar apo hetuar, gjykuar, dhe në rast se do të shpallej fajtor, të dënohej. Tani jemi në fazën që nuk është as i pandehur, por është i dyshuar.
Në këto kushte, nuk ka asnjë arsye që kryetari i bashkisë të lërë detyrën, duke u shkarkuar nga qeveria, për të mbetur bosh bashkia. Jemi në fazën që po presim që të ketë një gjykim dhe më pas do të gjykojmë, pa dyshim, se si do të rrjedhin ngjarjet”, tha Klosi.
Në këtë kontekst, Klosi shtoi se, “Partia Socialiste e Tiranës është një nga degët më të forta të PS-së në shkallë vendi. Është një degë e mirorganizuar që drejtohet nga dy nënndarje të barabarta, që Tirana – qytet drejtohet nga Ogerta Manastirliu, ndërsa bashkitë, Kamza, Vora, Kavaja dhe Rrogozhina drejtohen nga Elisa Spiropali
Tirana, si një nga fushëbetejat më të mëdha të garës së ardhshme elektorale, ku në kryeqytet garojnë për 37 mandate, ka nevojë për shumë energji dhe këtu jo vetëm që ka numrin më të madh të mandateve, por këtu do të pretendojnë dhe partitë e vogla, dhe ato të mëdha”.