Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se është hapur thirrja për rekrutime në Forcat e Armatosura, ndërsa afati për dorëzimin e dokumentacionit do të jetë data 31 mars.
“Hapet thirrja. Bëhu pjesë e Forcave të Armatosura. Afati për dorëzimin e dokumentacionit: 31 mars 2025”, shkruan Rama, krahas një videoje informuese në rrjetet sociale për rekrutimin e ushtarëve/detarë aktivë në FA.
Në kushtet e një profesionalizmi më të lartë të FA-së dhe një angazhimi gjithnjë e më të madh në përmbushje të detyrave në mbrojtje të vendit dhe në interes të Aleancës, Ministria e Mbrojtjes vlerëson se rekrutimi i ushtarëve me një profil sa më të lartë është thelbësor për FA-në.
Ushtritë e vendeve të NATO-s i kushtojnë një vëmendje të madhe këtij problemi, në mënyrë të veçantë instrumenteve të përzgjedhjes dhe motivimit të tyre.
Rekrutimi i ushtarëve/detarëve ka një impakt të rëndësishëm mbi të ardhmen e FA-së. Për këtë arsye kërkohet që të rekrutohen shtetas me një profil cilësor, të aftë nga ana fizike dhe shëndetësore dhe me një nivel të lartë kulturor. Një gjë e tillë mund të arrihet nëpërmjet përsosjes së sistemit të përzgjedhjes dhe motivimit.
Rekrutimi për t’u bërë ushtar/detar aktiv në Forcat e Armatosura u ofron shanse të barabarta të gjithë shtetasve shqiptarë për mosdiskriminim për shkak të racës, etnisë, ngjyrës, gjinisë, përkatësisë fetare, vendbanimit, si dhe pagës, përfitimeve dhe kompensimeve të tjera, sipas veçorive të shërbimit ushtarak.
Procedurat e përzgjedhjes së ushtarëve/detarëve janë transparente dhe të dokumentuara. Për të rritur transparencën, procedurat, kriteret, udhëzimet, rregulloret e testimeve dhe lista përfundimtare e rezultateve të testimit do të publikohen në faqen zyrtare të internetit të Forcave të Armatosura dhe do të përmirësohet mënyra e zhvillimit të testimit dhe vlerësimit nëpërmjet sistemit të automatizuar.
Për të filluar procesin e rekrutimit i interesuari duhet të plotësojë një sërë kriteresh dhe dokumentesh.
Shtetasit që kërkojnë të aplikojnë për ushtarë/detarë aktivë në FA duhet të aplikojnë drejtpërdrejt në zyrën e pranimit në Qendrën e Personel Rekrutimit, e cila vijon procedurat e testimit dhe përzgjedhjes me kandidatët që janë gjykuar të aftë nga ana shëndetësore.