Vrasjet në Shkodër/ Safet Bajri ndërhyn live në emision: Ja pse më erdhi RENEA në shtëpi

Shqipëria

Vrasjet në Shkodër/ Safet Bajri ndërhyn live në emision: Ja pse më erdhi RENEA në shtëpi

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 07:17
Safet Bajri

Forcat RENEA ndërmorën një aksion blic orët e para të mëngjesit në lagjen Dobraç, në qytetin e Shkodrës, ndërsa efektivët kishin në duar kërkesat e SPAK për ekzekutimin e disa urdhrave arresti për ngjarje të ndryshme kriminale.

Siç u raportua edhe më herët RENEA ushtroi kontroll edhe në banesën e Safet Bjarit, por ky i fundit nuk ishte në banesë.

Mbrëmjen e sotme Safet Bajri ka ndërhyrë live në emisionin Top Story ku po diskutohej për këto zhvillime me panelin e të ftuarve, duke deklaruar se emri i tij po keqpërdoret dhe se nuk ka lidhje me asnjë ngjarje kriminale.

I pyetur se përse RENEA kryen kontrolle në banesën e tij, ai u shpreh se sa herë që efektivët kanë shkuar në banesën e tij, ai u ka vënë në dispozicion kamerat e sigurisë.

I përfolur për një konflikt të përgjakshëm me familjen Lici me pasojë disa të vrarë në atentate, ai tha se nuk ka pasur kurrë konflikte me këtë familje.

“Kur vjen policia, i jap USB e kamerave, nuk kam lidhje me asgjë, dhe sulmohet Safeti. Për çfarë? Ka ardh RENEA te banesa ime… në lidhje me masakrën e Dobraçit unë ua kam dhënë kamerat. Unë me atë familje nuk kam pasur kurrë asnjë problem. Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Njerëzit kanë shoqëri të ndryshme, kur ta votojë parlamenti dhe të më caktojnë mua se kë të kem shok atëherë unë nuk rri se po shkel ligjin. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston, njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”, tha ai.

I pyetur në lidhje me pasuritë e tij dhe nëse ka pasur sekuestrim, ai tha se çdo gjë është e verifikueshme dhe se nuk ka pasur asnjëherë sekuestrime.

“As OLF as kurrkush, unë kam bërë 13 vite burg, kam bërë 4 vite kam dalë i pafajshëm, kam bërë dhe 2 vite dhe prapë pastaj ma pushuan çështjen, 6 vite tërë jetën”, deklaroi ai gjatë ndërhyrjes në emision.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat