Kryeministri Edi Rama ka vazhduar komunikimin e tij virtual me qytetarët në rrjetet sociale, duke u ndalur në temën e drejtësisë së re në Shqipëri. Ai theksoi se, për më shumë se pesë vjet, qeveria ka mbajtur një “heshtje strategjike” për të mbështetur institucionet e reja të drejtësisë dhe për të shmangur çdo lloj presioni mbi to.
Kjo periudhë, sipas Ramës, ka ndihmuar në krijimin e një vetëbesimi te pavarësia e këtyre institucioneve, dhe tani ka nevojë për tu fokusuar te standardet, cilësinë dhe respektimin e lirive dhe të drejtave.
Duke iu referuar çështjes së 21 janarit, ku u vranë katër protestues gjatë një demonstrate në vitin 2011, Rama theksoi se përgjegjësia për identifikimin dhe ndëshkimin e fajtorëve i takon SPAK-ut dhe GJKKO-së, dhe jo qeverisë. Ai shtoi se beson fort në punën e drejtësisë dhe se, pa angazhimin e tij dhe të Partisë Socialiste, SPAK nuk do të ishte krijuar fare.
“Nuk dua të marr shumë kohë me temën e drejtësisë sepse e kemi diskutuar shumë. Më parë kemi pasur një heshtje strategjike për më shumë se 5 vite për t’i dhënë suport total institucioneve të reja të drejtësisë që mos të ndihej asnjë lloj trysnie ndaj drejtësisë as për shkak të një fryme kritike që është e shëndetshme për hir të së vërtetës. Kjo heshtje strategjike ka dhënë si rezultat krijimin e një vetbesimi te pavarësia duhet të flasim për standardet dhe cilësinë, respektin e lirive dhe të drejtave. Para ligjit janë të barabartë të gjithë, edhe prokurorët e gjykatësit dhe të gjithë që ndjekin një proces. Kur vjen puna te 21 janari, fajtorët i nxjerr SPAK dhe GJKKO. Nuk i nxjerr qeveria. Unë e kam aq me të vërtetë punën e drejtësisë se po të mos e kisha me të vërtetë nuk do kishte SPAK fare”, tha Rama.